Lajme

Serbia shpërfillë Marrëveshjen e Uashingtonit


Afati për zhvendosjen e ambasadës serbe nga Tel Avivi në Jerusalem ka skaduar sot.

Ambasada Amerikane në Beograd ka reaguar lidhur me mos përfilljen e marrëveshjes.

“Shpresojmë që partnerët tanë të veprojnë me mirëbesim dhe të vazhdojnë t’i përmbahen angazhimeve të bëra në Uashington,” thuhet në përgjigjen e ambasadës për Radio Evropën e Lirë, përcjell N1.

Lidhur me mosveprimin e Serbisë thuhet se Serbia do të mbajë pasojat pasi që dispozita e Marrëveshjes së Uashingtonit për zhvendosjen e ambasadës serbe në Jerusalem nuk është përmbushur deri më tani.

Kurse, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka thënë se në përputhje me ligjin publik ndërkombëtar, por edhe interesat e Serbisë, do të vendosin për selinë e ambasadës në Izrael, duke shpjeguar se “ato interesa ndryshuan kur Izraeli njohu Kosovën”.

Kjo deklaratë e tij bëri me dije se Serbia nuk do të ndërmarr hapat sipas Marrëveshjes së Uashingtonit duke treguar pezmin pse Izraeli ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Kurse Kosova sipas “Marrëveshjes së Uashingtonit” pas njohjes nga Izraeli ka hapur ambasadën e saj në Jerusalem më 15 mars.

Marrëveshja e Kosovës dhe Serbisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës përbëhet nga gjashtëmbëdhjetë pika – jo të gjitha pikat e marrëveshjes janë të njëjta për të dyja vendet.

Një nga këto pika të ndryshme kishte të bënte me Izraelin – derisa në marrëveshjen e nënshkruar me Kosovën garantohej njohja e Izraelit, për Serbinë kërkohej zhvendosja e Ambasadës.

SHBA-të edhe para pak ditësh njoftuan se Departamenti i Shtetit Amerikan është në pritje që Kosova dhe Serbia t’i përmbahen zotimeve të nënshkruara në Uashington në shtatorin e vitit 2020.

SHBA në anën tjetër po u përmbahet zotimeve të veta. Amerikanët kanë bërë pjesën e tyre (studimin e fizibilitetit) sa i përket edhe pikës së shtatë të marrëveshjes.

Kjo pikë përfshinte krijimin e një studimi mbi përdorimin e liqenit të Ujmanit.

Marrëveshja e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Uashington nga ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, përmbante dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Reportazhi i Albanian Post për Ujmanin

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore