Lajme

Serbia provoi ta përdorë për propagandë plagosjen e dy të rinjve serbë në Shtërpcë – A ia arriti?


Ilustrim nga Albanian Post

Ngjarja e rëndë që ndodhi të premten e 6 janarit në komunën e Shtërpcës ku një pjesëtarë i Forcës së Sigurisë të Kosovës plagosi dy të rinjë serbë, shpejt mori ngjyrime politike ndonëse reagimi i autoriteteve të Kosovës ishte i menjëhershëm, si në dënimin e rastit, ashtu edhe në sjelljen e të dyshuarit para drejtësisë.

Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Ibrahim Gashi, në një prononcim për Albanian Post, tha se incidenti në Shterpcë, ku ushtari i FSK-së dyshohet se plagosi dy të rinjë serbë, njëri 11 vjeç kurse tjetri 21 vjeç, duhet parë si një ngjarje aksidentale dhe assesi të paramenduar dhe me motive etnike.

“Konsideroj se duhet të kursehemi nga çfarëdo lloj kualifikimi apriori pa u kryer hetimet dhe pa e thënë fjalën drejtësia. Kualifikimet nga Qeveria e Serbisë por edhe disa zëra tjerë në Kosovë, se plagosja u be nga me motive etnike, janë të pasakta dhe tendencioze”.

“Institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare duhet t’i mundësojnë ekspertizës ligjore të bej punën e saj e pandikuar dhe e papenguar”, shtoi Gashi.

Ndërkaq, ligjëruesi i Shkencës Politike, Dritëro Arifi, tha për AP, se përkundër që pala serbe ka tentuar t’i japë ngjyrime politike rastit, intervenimi i shpejtë i Policisë së Kosovë parandaloi interpretimet politike nga pala serbe.

“Kosova duhet t’i japë hapësirë çështje ligjore që të mos ketë interpretim politike nga pala serbe dhe nuk besoj që një incident i izoluar mund të ndikojë në dialog edhe pse tentimet nga pala serbe po bëhen në atë drejtim, por për fat të mirë institucionet e sigurisë reaguan me shpejtësi dhe transparencë të madhe”, tha Arifi.

Arifi, ndonëse konsideroi që këto raste mund të ndodhin edhe në vende të tjera, shtoi se Qeveria e Kosovës sëbashku me institucionet e Drejtësisë “duhet ta kryejnë punën në mënyrë efikase dhe transparente” sepse vetëm kështu “parandalohen ofensiva për qëllime politike”.

“Kur ka efikasitet dhe transparencë askush s’mundet dot të politizojë raste të tilla përkundër tendencës, prandaj esenca është te sjellja e institucioneve tona ndaj këtyre lloj incidenteve”, vuri në pah ai.

Ende pa u konfirmuar rasti në tërësi, drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, përmes retorikës së nacionalizmit populist, deklaroi se “shqiptarët ua përgjakën Krishtlindjet” ndërsa kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç, bëri thirrje që komuniteti ndërkombëtar të reagojë ndaj “dhunës sistematike nën të cilën jetojnë serbët në Kosovë”.

Në të njëjtën kohë pasuan edhe reagimet nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç e deri te kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, i cili thoshte se “serbët po dëbohen nga Kosova” ndonëse vetë nëna e 11-vjeçarit të lënduar, Zorica Stojanoviç, në deklarimin e paraqitur për mediat në gjuhën serbe, tha se “nuk ka qëlluar në drejtim të tyre, por në tokë”.

Gjykata Themelore në Ferizaj, megjithatë, i ka caktuar një muaj paraburgim pjesëtarit të FSK-së, Azem Kurtaj, për shkak “të dyshimit të bazuar” se ka kryer veprat penale “vrasje e rëndë në tentativë, përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, si dhe “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.

Ndryshe, avokati i të dyshuarit, Naim Ferati, ka theksuar se vetura e klientit të tij ishte sulmuar me mjete të forta nga një turmë e qytetarëve serbë që po festonin ndërsa nuk ka pasur asnjë qëllim që të qëllonte apo lëndonte ndonjë qytetar, por e gjithë ngjarja ishte zhvilluar në vetëmbrojtje.

Vetëm pak ditë pas largimit të barrikadave nga veriu i Kosovës, kjo ngjarje u shfrytëzua nga zyrtarët institucionalë në Serbi për të sulmuar Qeverinë e Kosovës për gjoja “sulme me motive etnike nga shqiptarët”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore