Lajme

Serbia përmendet si vend që mund të ndërmjetësojë paqen Ukrainë-Rusi


Aleksander Vucic dhe Vladimir Putin

Presidenti në largim i Republikës Çeke, Milosh Zeman, tha se Serbia mund të jetë ndër të paktat vende që mund të ndërmjetësojnë në bisedimet e paqes mes Ukrainës dhe Rusisë, falë pozicionit të saj “relativisht neutral”.

Por, Boshko Jakshiç, gazetar dhe njohës i politikave ndërkombëtare, në një prononcim për mediumin opozitar serb “Danas”, tha se ky skenar nuk është aspak real, pikërisht për faktin se Serbia nuk është neutrale në raport me agresionin rus në Ukrainë.

“Është krejtësisht joreale që Serbia të jetë një nga vendet që do të ndërmjetësojë negociatat e paqes ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës. Serbia thotë se ka një qëndrim neutral për çështjen e luftës, por shumë të tjerë nuk mendojnë se është veçanërisht neutrale në këtë konflikt”.

“Ky është problemi më i madh botëror që mund të ndërmjetësohet nga një vend me autoritet të madh dhe status diplomatik. Prandaj, Serbia nuk është ai vend. Ajo nuk e ka atë potencial apo respekt. Një gjë e tillë mund të kishte funksionuar në kohën e [Josip Tito] Broz-it dhe të Jugosllavisë”, shtoi ai.

Me Jakshiç-in pajtohet edhe analisti politik, Dragomir Angjelkoviç, i cili për “Danas” nënvizoi se përveç që në arenën ndërkombëtare ka lojtarë më të mëdhenj se Serbia, pala serbe ka problemet e veta dhe kështu nuk mund të ndërmjetësojë asgjë, veçanërisht një konflikt siç është ai në Ukrainë.

“Është një lëvdatë e madhe nga Zemani, i cili është pro Serbisë, por realiteti politik është i tillë që një gjë e tillë është e pamundur. Në lojën e të mëdhenjve, Serbia sigurisht që nuk mund të jetë ndërmjetëse. Dikush që ka probleme vështirë se mund të jetë ndërmjetës në tejkalimin e problemeve të të tjerëve”, tha Angjelkoviç.

“Serbia është e rënduar nga sundimi autoritar – në shumë qarqe [Aleksandër] Vuçiç konsiderohet një lider që nuk sillet në përputhje me normat demokratike. Një shtet me atë lloj barre nuk ka gjasa të pranohet lehtësisht si ndërmjetës”, shtoi ai.

Angjelkoviç theksoi se Serbia është “formalisht neutrale”, por në shumë raste është treguar se regjimi i Vuçiç-it, në prapaskenat e neutralitetit, “bashkëpunon me qarqet perëndimore në dëm të Rusisë”.

Zyrtarët serbë vazhdimisht kanë përsëritur se Beogradi nuk do të mbështesë sanksionet ndaj Moskës, pasi kështu mbronë “interesat vitale” të shtetit, sepse Serbia po ashtu mbështetet në Rusinë për Kosovën, që është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore