Lajme

Serbia para nënshkrimit të kontratës për hekurudhën moderne “Beograd – Nish – Preshevë”


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, përmes një postimi në llogarinë e tij në instagram, ka njoftuar se analizat e fundit janë në zhvillim e sipër para se të nënshkruhet marrëveshja në dy muajt e ardhshëm për ndërtimin e hekurudhës Beograd-Nish-Preshevë.

Ndërtimi i hekurudhës moderne e cila do të arrijë kapacitetin e shpejtësisë prej 200 km/h është lajmëruar se do të përfundojë në vitin 2026.

“Analizat e fundit para nënshkrimit të marrëveshjes në kuadër të ndërtimit të hekurudhës me shpejtësi të lartë Beograd – Nish – Preshevë, ndërtimi i seksioneve të reja të hekurudhës në Serbi, si dhe modernizimi i atyre ekzistuese. Transporti hekurudhor është pjesë e agjendës së gjelbër të Evropës moderne, por edhe një pjesë e ekonomisë që po kontribuon me shpejtësi në rritje. Në 2 muajt e ardhshëm, ne presim marrëveshje të mëdha dhe kontrata të mëdha për vendin tonë”, njoftoi Presidenti i Serbisë.

Vuçiq njoftoi ndërtimin e kësaj hekurudhe me shpejtësi të lartë nga Beogradi në Nish, deri në Preshevë dhe kufirin me Maqedoninë e Veriut, në fund të prillit gjatë një vizite në Bruksel. Siç tha ai, ai projekt do të financohet pjesërisht nga fondet evropiane.

“Ne jemi me nxitim, sepse Serbia duhet të arrijë me Evropën e zhvilluar dhe t’i kujtojë të gjithë kombit faktin që trenat ekzistojnë në Serbi, se janë më të pastër dhe më të bukur se kurrë, dhe se hekurudhat tona do të jenë moderne dhe më të shpejta. Rroftë Serbia”, ka shkruar Vuçiç.

Modernizimi i hekurudhës nga Beogradi në Nish është shpallur disa herë, dhe disa herë është përmendur se do të ndërtohet nga Kina, por tashmë është lajmëruar se do të bëhet nga Bashkimi Evropian, të cilët edhe do të financojnë së paku 35%, siç është bërë e ditur nga Vuçiç.

Hera e fundit që Vuçiç kishte folur për këtë hekurudhë ishte kur Serbia nënshkroi marrëveshje me BE-në për menaxhimin e migracionit, ku edhe pati deklaruar se pas kësaj hekurudhe qyteti i Nishës do të bëhej “qendra absolute e Evropës Juglindore”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore