Lajme

Serbia nuk do të njohë “referendumet” e Rusisë në Ukrainë


Serbia, me gjithë angazhimin e saj ndaj Rusisë, nuk do t’i njohë “referendumet” e organizuara nga Federata Ruse në territoret e pushtuara në jug dhe në lindje të Ukrainës.

Lajmi u bë i ditur nga transmetuesi RTS, duke cituar ministrin e Punëve të Jashtme, Nikola Selakoviç.

I pyetur nga mediat për “referendumet”, Selakoviç deklaroi se Serbia, duke marrë parasysh parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe interesat e saj, nuk mund t’i njohë rezultatet e tyre.

“Së pari, ne i përmbahemi parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së OKB-së, së dyti, kjo do të binte plotësisht në kundërshtim me interesat tona shtetërore dhe kombëtare dhe politikën tonë të ruajtjes së integritetit territorial, sovranitetit dhe parimeve të paprekshmërisë së kufijve”, vuri në dukje kryediplomati serb.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç theksoi më herët se përpjekja e Perëndimit për të përjashtuar Federatën Ruse nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të ishte “shkatërrim i rendit ndërkombëtar”.

Beogradi zyrtar gjithashtu kundërshton ndëshkimin e Rusisë me sanksione.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore