Lajme

Serbia njofton blerjen e gazit nga Hungaria


Serbia bleu 500 milionë metër kub gaz nga Hungaria dhe ky gaz do të magazinohet në depot hungareze.

Kështu ka thënë ministri serb i Financave, Sinisha Mali, përcjell “Euractiv”.

Zyrtari serb nuk sqaroi se ku e bleu gazin Hungaria, e cila nuk nxjerr lëndë djegëse fosile brenda vendit.

Serbia tashmë i ka transferuar Hungarisë një paradhënie prej 250 milionë eurosh dhe synon të dërgojë një tjetër pagesë në fund të korrikut.

Mali u shpreh se furnizuesit e gazit janë kompanitë MVM dhe MET dhe se sasia e specifikuar e gazit do të ruhet në Hungari deri më 1 tetor.

Sipas marrëveshjes, Serbia do të ketë të drejtë të përdorë një vëllim ditor prej 3 milionë metra kub në tetor, i cili do të dyfishohet në 6 milionë metra kub nga nëntori deri në shkurt.

Në muajin mars, vëllimi ditor do të kthehet në 3 milionë metër kub në ditë.

Serbët po mbushin magazinën e tyre në Banat Dvor dhe sipas zyrtari, qasja në këto rezerva të ruajtura në Hungari, si dhe gazi i lirë rus, do të sigurojë që popullsia dhe industria t’i mbijetojnë dimrit.

Mali përmendi gjithashtu se falë miqve të tij kinezë, ata do të blejnë qymyr, por shtoi se vendi synon të nënshkruajë marrëveshje me 11 vende për t’u siguruar atyre burime të mjaftueshme energjie.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore