Lajme

“Serbia me blerjen më të madhe të armëve, prejse është shpërbërë Jugosllavia”


Ushtria e Serbisë.

Serbia do të porosisë blerjen më të madhe që ka bërë ndonjëherë prejse është shpërbërë Jugosllavia me pajisje ushtarake dhe municione për ushtrinë serbe në vlerë prej 1.25 miliardë euro nga fabrika e industrisë ushtarake raporton media serbe Novosti.

Shtabi i përgjithshëm i ushtrisë së Serbisë ka përgatitur disa lista me armë dhe pajisje të nevojshme për Forcat e Armatosura, të cilat i janë paraqitur kryesisë shtetërore në një mbledhje të fundit në Nish, ku për vizitë ishte edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.

Automjetet e reja luftarake që pritet të marrin janë armë këmbësorie, mbrojtje optike dhe balistike, armë raketore të modernizuara, por edhe të zhvilluara së fundi, shkruan Novosti.

Ushtria e Serbisë.

Në rast se kjo blerje realizohet ashtu siç është plani në letër, “jo vetëm do të rrisë në mënyrë drastike fuqinë e zjarrit dhe aftësitë e forcave të armatosura, por do të jetë edhe një shtysë për ushtrinë e Serbisë”.

Thuhet se kjo është lista më ambicioze që është paraqitur ndonjëherë pasi përfshin armë dhe pajisje që kërkojnë zgjerimin e buxhetit më së paku prej 500 milionë euro në vit.

Analisti ushtarako-politik, Vllade Raduloviç, ka thënë se “shtylla kurrizore e këtij prokurimi do të jetë pjesa më e madhe e pajisjeve nga zhvillimi vendor, të cilin e kryen kompania ‘Jugoimport SDPR’ dhe Instituti Teknik Ushtarak”.

Pritet gjithashtu që ushtria të forcohet nga një sistem raketor i jashtëzakonshëm (vetëlëvizës) “Tamnava” me kalibër 122 milimetra dhe pas disa dekadash flota lumore do të marrë edhe varka të shpejta luftarake.

Në atë paketë me shumë gjasa do të jenë edhe dronët, duke pasur parasysh se tashmë është paralajmëruar prodhimi i mjetit ajror vendas pa pilot “Pegasus”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore