Lajme

Serbia ka afat veç edhe një ditë


Kosova sipas “Marrëveshjes së Uashingtonit” pas njohjes nga Izraeli ka hapur ambasadën e saj në Jerusalem më 15 mars.

Ndërsa, Serbia ende nuk e ka bërë një gjë të tillë dhe afati i fundit për përmbushjen e detyrimeve sipas asaj pike të marrëveshjes është data 1 korrik, e enjte.

Marrëveshja e Kosovës dhe Serbisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës përbëhet nga gjashtëmbëdhjetë pika – jo të gjitha pikat e marrëveshjes janë të njëjta për të dyja vendet.

Një nga këto pika të ndryshme kishte të bënte me Izraelin – derisa në marrëveshjen e nënshkruar me Kosovën garantohej njohja e Izraelit, për Serbinë kërkohej zhvendosja e Ambasadës.

SHBA-të edhe para pak ditësh njoftuan se Departamenti i Shtetit Amerikan është në pritje që Kosova dhe Serbia t’i përmbahen zotimeve të nënshkruara në Uashington në shtatorin e vitit 2020.

SHBA në anën tjetër po u përmbahet zotimeve të veta. Amerikanët kanë bërë pjesën e tyre (studimin e fizibilitetit) sa i përket edhe pikës së shtatë të marrëveshjes.

Kjo pikë përfshinte krijimin e një studimi mbi përdorimin e liqenit të Ujmanit.

Marrëveshja e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Uashington nga ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, përmbante dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

“Shpresojmë që partnerët tanë të veprojnë me mirëbesim dhe të vazhdojnë t’i përmbahen angazhimeve të bëra në Uashington”, thuhet në përgjigjen e Departamentit të Shtetit për Zërin e Amerikës.

Departamenti i Shtetit ka thënë se zbatimi i “Marrëveshjes së Uashingtonit” krijon mundësi të bashkëpunimit shumë më të gjerë mes palëve nënshkruese, duke krijuar edhe “një bazë për marrëveshjet e ardhshme”.

SHBA inkurajon të dy vendet që të vazhdojnë të zbatojnë marrëveshjen.

 

Reportazhi i Albanian Post për Ujmanin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore