Lajme

163 pronat e Kosovës, jashtë kufijve


Miniera e Trepçës

163 prona i kanë mbetur Kosovës jashtë kufijve, nëpër vendet e ish-Jugosllavisë pas shpërbërjes së federatës në vitin 1980, e cila deri në këtë kohë ishte e formuar nga gjashtë shtete, Serbia, Kroacia, Sllovenia, Bosnja e Hercegovina, Maqedonia, Mali i Zi, dhe dy krahina ajo e Kosovës dhe Vojvodina.

Më së shumti prona jashtë kufijve aktual, Kosovës i kanë mbetur në Serbi.

Gjithsej 99 sosh.

Për Albanian Post, nga Agjencia Kosovare e Privatizimit kanë thënë, se bazuar në të dhënat dhe deklarimet e ish menaxhmenteve të ndërmarrjeve shoqërore dhe në bazë të dokumentacionit të siguruar, “AKP i ka në evidencën e saj 163 prona shoqërore që ju përkasin Ndërmarrjeve Shoqërore të ndryshme nëpër shtete të dala nga ish Jugosllavia”.

“Prej 163 pronave shoqërore jashtë vendit, shumica janë lokale dhe zyra”.

“Në shtetin fqinjë Serbi, janë 99 asete apo 61 për qind, në Mal të Zi janë 35 apo 21 për qind, në Bosnje e Hercegovinë janë 15 ose 9 për qind, në Maqedoni të Veriut 8 apo 5 për qind, në Kroaci 5 ose 3 për qind dhe në Slloveni është 1 apo 1 për qind”.

Agjencia Kosovare e Privatizimit për Albanian Post ka thënë se Serbia është shteti i vetëm që pengon Kosovën të ketë qasje ligjore në dokumentacion.

“Me përjashtim të Republikës së Serbisë, shtet në të cilin AKP pengohet të ketë qasje ligjore në dokumentacionin administrativ dhe procedura tjera ligjore. Në shtetet tjera, AKP zhvillon në vazhdimësi procedura administrative dhe gjyqësore në emër të Ndërmarrjeve Shoqërore, për posedim ligjor të këtyre pronave”.

Sfidë për AKP-në mbetet procesi i posedimeve të fakteve juridike.

“Procesi i posedimit faktik dhe juridik i pronave në fjalë, mbetet sfide jo e lehtë për AKP dhe Ndërmarrjet Shoqërore, duke marre parasysh rrethanat shumëvjeçare të zhvillimeve politike dhe kornizës ligjore të shteteve përkatëse”, thuhet tutje në përgjigje të AKP-së.

Profesori i ekonomisë, Muhamet Mustafa, që është në mesin e ekspertëve të angazhuar nga Qeveria e Kosovës për dialogun Kosovë-Serbi, ka shpjeguar mënyrën se si duhet t’i kërkojë Kosova pronat e veta nëpër shtetet e ish-Jugosllavisë.

Mustafa ka thënë se kur ka nisur shpërbërja e federatës, Kosova ka qenë e okupuar.

“Jugosllavia u shpall shtet në shpërbërje nga Banditeri, kuptohet Kosova edhe pse ka qenë njësi federale dhe ka pas të drejtën e vetos në federatë, nuk ka mundur ta analizojë shpërbërjen kur janë larguar edhe republikat tjera nga federata për arsye se ka qenë e okupuar nga Serbia deri në çlirimin e saj”, ka thënë Mustafa për Albanian Post

“Më vonë pas luftës, diku në vitin 2001, është bërë një ndarje e pasurisë midis njësive të Federatës së Ish-Jugosllavisë. Kuptohet në ato kohë ka ekzistuar federata e Jugosllavisë, që e ka përfshi Serbinë, Malin e Zi dhe Kosovën në mënyrë të dhunshëm si pjesë e Serbisë, e aty janë bërë disa parime për ndarjen e pasurisë dhe obligimeve, dhe në bazë të asaj prona i takon secilës republikë, secilës federatë të ish-Jugosllavisë, brenda territorit të vet është pronë e tyre”.

Sipas Mustafës, pronat e Kosovës në vendet e ish-Jugosllavisë nuk duhet të kërkohen nga shteti dhe Qeveria e Kosovës, por nga firmat apo ndërmarrjet që kanë qenë në ish-Jugosllavi.

Mustafa konsideron se Qeveria në këtë drejtim duhet të ketë kujdes të mos interferoj.

“Nëse ka kërkesa çoftë pronësore, ose financiare midis firmave ato zgjedhën në procedura gjyqësore, por nuk interferohen institucionet shtetërore, d.m.th nuk është çështje e shtetit, por e firmave. Në këtë drejtim këtu nuk interferohet qeveria, por te Kosova një pjesë të interesave të bizneseve dhe kërkesave i ka marr AKM më vonë AKP, prandaj ajo është kujdes që të bëj kërkesa në disa territore”, u shpreh Mutafa.

“Mirëpo, e njëjta gjë vlen edhe për viset tjera të ish-Jugosllavisë që kanë kërkesa shumë më të mëdha në Kosovë, sepse ka pasur shumë më shumë njësi e firma nga ish-Jugosllavia në Kosovë, prandaj qeveria duhet të ketë kujdes të mos interferoj, nuk është punë e qeverisë, por e bizneseve”.

Për mënyrën e ndarjes së pronave që ende nuk janë definuar, Mustafa thotë se duhet të propozohet parimi që është përdorur nga të gjitha ish-shtetet e federatës.

“Ne kemi propozuar parimet që janë përdorur kur është bërë ndarja republikave të ish-Jugosllavisë, të njëjtat parime të vlejnë kur bëhet ndarja në mes Kosovë dhe Serbisë”.

Profesori i ekonomisë ka thënë se Qeveria e Serbisë nuk mund të pretendojnë se ka prona të Serbisë në Kosovë, e që sipas tij, në të njëjtën situatë është edhe Kosova.

“Pavarësisht që thotë se ka prona në Trepçë, e në Ujman, etj, por me kriteret e suksesionit nuk ka pronë Serbia në Kosovë, edhe me planin e Ahtisarit. Mund të ketë ndonjë individ, e që mund ta kërkoj nëpërmes rrugëve ligjore. Por, Serbia si shtet nuk mund të pretendoj se ka prona në Kosovë dhe njëjta është edhe me Kosovën”.

Ministria e Drejtësisë së Kosovës ka ngritur padi ndaj komunës së Budvës në Mal të Zi dhe kompanisë “Sunraf Beach Areas”, duke kërkuar kthimin e 4 mijë e 500 metrave katrorë tokë, në atë që tani njihet si shëtitorja “Rafailovic”, në rrugën Djuro Rafailovic, dhe ku dikur kishte një park fëmijësh, në qytetin e Budvas.

Por për tokat tjera, as Ministria e Drejtësisë e as Qeveria e Kosovës nuk ka nisur ndonjë procedurë për rikthimin e tyre,

“Kosova padit Malin e Zi, i kërkon 4500 metra katrorë në Budva”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore