Lajme

Serbi kapet me mbi 100 kg marihuanë në Kosovë


Policia e Kosovës.

Policia e Kosovës, ka bërë të ditur se të dielën janë sekuestruar 107 kilogramë substancë narkotike të llojit marihuane.

Lajmi është kumtuar përmes një komunikate nga media.

“Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, më datë 29.01.2023, në orën 22:40, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, në terminal doganor,  ka ndaluar  një kamion ‘Iveco’ me targa të huaja të cilin e drejtonte i dyshuari M.P., (1991), shtetas i Serbisë nën dyshimin për substancë narkotike”, thuhet në komunikatë.

Nga policia, është sqaruar se ky aksion është kryer në bashkëpunim me oficerët e Doganës së Kosovës.

“Në bashkëpunim me oficerët e Doganës së Kosovës, gjatë kontrollimit në dy rezervuarët e derivateve janë gjetur bunkerë të modifikuar, ku në brendi kishte 101 paketime të plastikës me të substancë narkotike të dyshuar të llojit marihuanë”.

Kurse, nga njësia e Forenzikës është bërë sekuestrimi dhe tërheqja e dëshmive, ku pesha e përgjithshme e narkotikëve të sekuestruar ka qenë rreth 107 kilogramë.

“Po ashtu në cilësi të provave janë sekuestruar edhe një telefon celular, një GPS, disk diagrami i tahografit, një kamion, 95 euro si dhe 2.500 dinarë”.

Kurse, gjatë diskutimeve me prokurorin kujdestar i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

Ndërsa, rasti është procedurar për veprime të mëtutjeshme, përderisa është thënë se janë duke vazhduar veprimet hetimore nga drejtoria përkatëse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore