Lajme

Serbët nga Kosova i shkruajnë QUINT-it dhe BE-së, paraqesin disa kërkesa  


Ilustrim

Një grup i organizatave joqeveritare serbe nga Kosova, të shtunën, përmes një shkrese kanë apeluar te Bashkimi Evropian dhe shtetet e QUINT-it që të bëjnë presion ndaj Qeverisë së Kosovës për tërheqjen e forcave speciale të Policisë së Kosovës dhe kryetarëve të sapozgjedhur të komunave nga Veriu i Kosovës.

Në kërkesën e tyre publik ata kanë pretenduar se “veprimet represive dhe agresive të Qeverisë së Kosovës dhe sjellja e forcave speciale policore në Veri të Kosovës mund të përshkallëzojë deri në pasoja të pakapshme paqen dhe sigurinë e qytetarëve dhe të dëmtojë përgjithmonë mundësitë e pajtimit dhe bashkëjetesës ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në këtë zonë”.

“Sjellja e këtyre policëve shkakton frikë dhe trazira në popullatën vendase dhe paraqet kërcënim për paqen, dhe mungesa e reagimeve për vendosjen e tyre ‘të paligjshme’ në Veri të Kosovës, ‘në tokat e konfiskuara dhunshëm dhe ilegalisht, dërgoi mesazhin e gabuar se lejohet militarizimi i kësaj zone’”, pretendojnë këto organizata.

Nënshkruesit e kësaj kërkese gjithashtu vlerësuan se vetëm BE-ja dhe vendet e QUINT-it mund të ruajnë paqen në Kosovë dhe të krijojnë kushte për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit.

Organizatat jo-qeveritare kanë kërkuar vendosjen e njësive të KFOR-it dhe EULEX-it në Veri të Kosovës, sipas tyre, “për të ruajtur paqen deri në momentin e kthimit të pakushtëzuar të serbëve lokal në polici”.

Organizatat kanë kërkuar gjithashtu zbatimin e nenit 7 të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit – dispozitë e cila parasheh sigurimin e një niveli të duhur vetë-menaxhimi për komunitetin serb në Kosovë – si dhe krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Kërkojmë zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të majit të vitit 2016 me të cilin konfirmohet pronësia e Manastirit të Deçanit”, thuhet në komunikatë ndër të tjera.

Nënshkruesit e këtij dokumenti kanë kërkuar gjithashtu “t’i jepet fund demonizimit të popullit serb në daljet publike të presidentes së Kosovës, kryeministrit të Kosovës dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të qeverisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore