Lajme

Senatorja Ernst: Sistemi i fuqishëm ligjor hap rrugën e investimeve në Kosovë


Senatorja Joni Ernst në një takim me një delegacion të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë

Senatorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Joni Ernst, gjatë takimit me përfaqësuesit e bizneseve të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, ka thënë se sigurimi i një sistemi të fuqishëm ligjor në Kosovë, do të mundësonte hapjen e rrugëve për investime në këtë vend.

Gjatë fjalës së saj, ajo u shpreh e lumtur që rikthehet në Kosovë, për të diskutuar me zyrtarët e Kosovës sesi SHBA-ja mund të vazhdojnë përkrahjen, por gjithashtu për mënyrat se si shteti i Iowas mund të zgjerojë rolin e tij në Kosovë, përmes partneritetit afatgjatë ndërmjet Kosovës dhe Iowas.

“Ka shumë njerëz, të cilët do të kishin vullnet për të investuar dhe për t’u angazhuar në Kosovë, por investitorët kanë nevojë të sigurohen për një sistem të fuqishëm ligjor, të mbështetur nga respektimi i demonstruar për sundimin e ligjit”, ka thënë ajo.

Senatorja nga shteti i Iowas, më tutje ka folur edhe për zhvillimin ekonomik dhe përkrahjen e bizneseve në Kosovë, sidomos në fushën e bujqësisë.

“Ekzistojnë mënyra konkrete për avancimin e zhvillimit ekonomik dhe përkrahjen e bizneseve në Kosovë. Është me rëndësi të synohen fushat me mundësi më të mëdha për bashkëpunimin e zgjeruar ndërmjet Iowas dhe Kosovës, siç është bujqësia”.

Ernst ka folur edhe për suksesin e programeve për zhvillimin e fuqisë punëtorë, programe që, sipas saj, përgatisin të rinjtë për tregun e punës, duke krijuar ndërlidhje më të mirë ndërmjet zhvillimit të shkathtësive me nevojat e punëdhënësve.

Senatorja republikane, Joni Ernst, së bashku me një delegacion të Kongresit amerikan, ndodhet në vizitë zyrtare në Kosovë që nga 3 korriku i këtij viti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore