Lajme

Senatori Murphy pasi takoi Vuçiç’in: E kam mik, diskutuam për marrëveshjet dhe mosmarrëveshjet që i kemi


Chris Murphy dhe Aleksandër Vuçiç

Senatori amerikan, Chris Murphy, i cili është njëri ndër hartuesit kryesor të politikave amerikane rreth Ballkanit Perëndimor si në administratën e Donald Trump ashtu edhe në atë të Joe Biden, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Twitter ka njoftuar për takimin që ka pasur me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, këtë të enjte në Beograd.

Murphy ka njoftuar se në takim me Vuçiç’in, të cilën e ka cilësuar si mik, është diskutuar në mënyrë produktive për çështjen e Kosovës si dhe atë të Ukrainës.

“Aleksandër është një mik, dhe unë gjithmonë kënaqem me shkëmbimin e pikëpamjeve tona të sinqerta. Ne patëm një diskutim produktiv për Ukrainën, Kosovën dhe dhunën me armë. Kemi marrëveshjes dhe mosmarrëveshje dhe i kemi diskutuar të gjitha”, ka shkruar Murphy në Twitter.

Ndryshe për takimin në fjalë ka njoftuar edhe Vuçiç’i i cili ka thënë se formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe për Beogradin zyrtar është prioritet.

Vuçiç në takim me dy senatorët amerikanë, Gary Peters dhe Chris Murphy ka përsëritur qëndrimin se Beogradi zyrtar insiston që Asociacioni të formohet komfor Marrëveshjes së vitit 2013 dhe atij të vitit 2015.

“Biseduam edhe për shumë çështje të tjera me interes për dy vendet tona dhe ritheksova përkushtimin e Serbisë për të vazhduar zhvillimin e marrëdhënieve me SHBA-në në bazë të respektit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë”, ka shkruar Vuçiç në Facebook.

Ndryshe ditë më parë dy senatorët amerikanë vizituan edhe Kosovën me ç’rast përveç krerëve institucional të Kosovës takuan edhe kryetarët e partive opozitare.

Në një postim në rrjetin e tij social në Twitter, Murphy pas takimeve të realizuara në Kosovë tha se Qeveria e udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti duhet të tregojë një nivel të ri të seriozitetit kur fjala bie për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore