Shqipëria

Senatorët amerikanë duan ta ndihmojnë Ballkanin dhe ta ndalojnë Putin-in


Senati amerikan

Një grup senatorësh amerikanë, të udhëhequr nga demokratja Jeanne Shaheen dhe republikani Roger Wicker, kanë paraqitur një projekt-ligj dypartiak mbi mbështetjen amerikane për Ballkanin Perëndimor.

Qëllimi është mbështetja e zhvillimit ekonomik dhe lufta kundër korrupsionit, por parashikohen sanksione edhe për ata që kërcënojnë stabilitetin e rajonit ose janë të përfshirë në korrupsion.

Akti i Demokracisë dhe Prosperitetit në Ballkanin Perëndimor është emri zyrtar i propozimit dypartiak që iu dorëzua Kongresit disa muaj pasi një grup senatorësh të përfshirë në hartimin e tij vizituan rajonin.

Duke shpjeguar nismën, senatorja Shaheen deklaroi se marrëdhënia e Shteteve të Bashkuara me Ballkanin Perëndimor është e një rëndësie kritike në kohën e luftës ruse në Ukrainë dhe ambiciet e qarta të presidentit rus Vladimir Putin për të përhapur ndikimin malinj në Evropën Lindore.

Jeanne Shaheen

Në një intervistë për shërbimin e Zërit të Amerikës për Maqedoninë e Veriut, senatoja Shaheen tha se forcimi i demokracisë, inkurajimi i përparimit ekonomik dhe luftimi i korrupsionit janë disa nga mënyrat për të shmangur ndikimin e dëmshëm.

“Ky ligj është një përpjekje për të ripërtërirë fokusin në vendet e Ballkanit Perëndimor, në rëndësinë e progresit të vazhdueshëm të këtyre vendeve drejt Perëndimit, integrimit në BE dhe formësimit të demokracisë. Ky është qëllimi thelbësor i ligjit”, deklaroi ajo.

Gjithahtu, edhe “zgjidhja e problemit të korrupsionit është një pjesë e rëndësishme e kësaj nisme dhe ky propozim i jep autoritet Sekretarit të Shtetit për të ofruar asistencë teknike për vendet që kërkojnë ndihmë në zgjidhjen e problemit me korrupsionin”.

Autorët e projektligjit besojnë se një stabilitet më i madh ekonomik dhe institucione më të forta demokratike do të rriste kënaqësinë e qytetarëve, do të reduktonte emigracionin e të rinjve dhe do t’i bënte qytetarët më pak të prirur t’i nënshtrohen dezinformatave.

Roger Wicker

Kjo është arsyeja pse ata propozojnë programe për drejtuesit e rinj, kërkojnë hapjen e paralajmëruar më parë të zyrës rajonale të Korporatës për Financimin e Zhvillimit dhe Promovimit të Partneriteteve Universitare.

Propozimi nuk përmban shumën e ndihmës financiare për rajonin nga buxheti federal.

Nëse miratohet, atëherë kjo shumë do të vendoset më vonë.

Bashkë sponsorët e projektligjit janë senatorët demokratë Richard Durbin, Chris Van Hollen , Ben Cardin dhe Chris Murphy dhe senatori republikan Tom Tillis.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore