Lajme

Selmanaj, Qeverisë: Pse po e mbroni Martin Berishajn, a shumë para keni marrë prej tij?


Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, në fjalën e tij në Parlamentin e Kosovës është shprehur se qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti është kundër Kushtetutës së Kosovës.

“Kjo qeveri do të mbahet mend që pesë herë e ka shkelur Kushtetutën, në gjysmën mandatit pesë herë. Këta janë kundër Kushtetutës. Dy herë nga qeveria Kurti 1 dhe tri herë nga Kurti 2.”

Tutje, ai tha se kur kryeministri është vetë me precedent penal, do t’i durojë, siç tha ai edhe ministrat që i ka të tillë.

“Është një paradoks, ne e kemi kryeministrin e vendit me precedent penal, dhe natyrisht që i duron 5 ministra me precedan penal, përfshirë edhe ministren e Drejtësisë”.

Jashtë kësaj, Selmanaj akuzoi qeverinë për mos shkarkimin e ambasadorit Martin Berishaj, i cili dyshohet për afera korruptive, pasi që sipas tij Qeveria janë të kapur nga ai.

“Ambasadorin pse po e mbroni kaq shumë. Një Ballkan është quar në këmbë, mediat kroate sllovene, po më thërrasin vazhdimisht në telefon për të më intervistuar si kryetar i Komisionit Hetimor për Energji”.

Ndërsa pyeti, “a kaq shumë jeni të kapur prej tij, kaq shumë keni marrur para prej tij”.

“Kryeministri dhe presidentja e mbrojnë vazhdimisht”, shtoi ai.

Pas disa fjalëve të zëvendës-kryeministrit, Besnik Bislimi, nga karrigia e tij ku ishte ulur, Selmanaj i tha se po të shkarkohet Berishaj, i njëjti fat e pret edhe atë.

“E di që me u shkarku Martin Berishaj edhe ky hec prej shpie, sepse janë të kapur keq”.

Gjithashtu, Selmanaj potencoi se qeveria përpiqet që të propagandojë se luftimin e korrupsionit e bënë qeveria, por Selmanaj argumenton ndryshe.

“Ka një tendencë që lufta kundër korrupsionit prej se ka ardhur kjo qeveri, kuptoni veten sa paradoks jeni. Kush e bane luftën kundër korrupsionit, politika?, jo politika e nxit, mund të jetë mbështetëse, se lufton qeveria krimin e korrupsioni, e lufton policia dhe organet e drejtësisë”.

Po ashtu, ai akuzoi qeverinë se “keni vendos që të jepni të drejtë vetës që të shkatërroni sistemin e drejtësisë, por nuk mundeni, e shkatërroni veten, por vendin assesi.

Ndryshe, skandali financiar i ambasadorit Berishaj ka tronditur opinionin politik në disa shtete, por më së rëndi në Kosovë dhe Slloveni. Edhe më tronditëse është mbrojtja që i kanë bërë akterët kryesorë të pushtetit në Kosovë, ndërsa Berishaj vazhdon të udhëheqë diplomacinë kosovare në Kroaci.

Televizioni shtetëror i Sllovenisë në shkurt të këtij viti transmetoi një emision ekskluziv lidhur me skandalin e madh financiar ku është përfshirë ambasadori kosovar.  Emisioni më i shikuar investigativ (Target) kishte realizuar një edicion special rreth skandalit financiar të kompanisë GEN-I ku fokus ishte pikërisht Berishaj.

“Çështja më e nxehtë me të cilën po merret policia për momentin janë pazaret ballkanike në çështjen GEN-I, për të cilën po zhvillohet procedimi para-hetimor. Ka shumë pyetje të hapura, pa përgjigje në këtë çështje”, thuhej në hyrjen të emisionit.

Gjithashtu, një grup gazetarësh slloven, ndër ta edhe një nga gazetaret më të njohura në Slloveni, Erika Znidarshiç, vizituan selinë e kompanisë GEN-I në Prishtinë, por aty gjetën vetëm një zyre të fotokopjes.

“Është interesante se në Prishtinë ne po kërkonim selinë e degës së GEN-I në adresën zyrtare, por as kuti postare nuk gjetëm. Më të diskutueshmet janë transferimet e degëve serbe të GEN-I tek kompanitë e ambasadorit aktual të Kosovës”.

“Bëhet fjalë për shuma të mëdha, të cilat Berishaj i ka shpërlarë menjëherë pas marrjes së tyre. Nuk dihet se ku i ka marrë paratë. Ne shqyrtuam të dhënat dhe kërkuam përgjigjet e të gjitha institucioneve në Ballkan”, thuhej ndër të tjera.

Madje, shefi i ri i Bordit të kompanisë së energjisë elektrike GEN-I, Maks Helbl, e pati pranuar në emisionin (Target) të televizionit slloven se dega në Beograd e kësaj kompanie e ka paguar ambasadorin Berishaj si konsulent.

“Berishaj na ka dhënë këshilla të rëndësishme. Ky është një person që ka një nivel të caktuar të besimit në publik, ka njohuri edhe për situatën politike në rajon, bazuar në njohuritë e tij ai është në gjendje të sigurojë informacione të nevojshme për tregjet e Kosovës, Malit të Zi dhe Shqipërisë”, shtonte ndër të tjera Helbl.

Mes institucioneve të Kosovës dhe Martin Berishajt, Kurti zgjodhi Berishajn – pse?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore