Teknologji

Selipsky në krye të shërbimeve web në Amazon


Kompania teknologjike, Amazon, emëron shefin ekzekutiv të Tableau-t, Adam Selipsky, si kreun e ri të shërbimeve web në Amazon.

Agjencia e lajmeve, CNN, zbulon se emërimi i Selipsky-t, vjen si pjesë e një tranzicioni të madh drejtues në kompani pasi Jeff Bezos, themeluesi dhe shefi ekzekutiv i Amazon-it, në muajin shkurt njoftoi se do të ikte prej rolit të tij si kryetar i ekzekutivit.

Ai u zëvendësua nga Andy Jassy, i cili është kreu aktual i shërbimeve web të Amazon-it. Mirëpo, lëvizjet lëkundën rëndësinë e shërbimit kryesor të kompanisë dhe ngriti pyetje të mëdha se kush do të merrte udhëheqjen e tij.

Lidhur me drejtuesin e ri, Selipsky ka shërbyer në pesë vitet e fundit si shef ekzekutiv i kompanisë së të dhënave, Tableau. Gjatë kësaj kohe, vlera e kompanisë u katërfishua dhe në vitin 2019 u ble nga Salesforce për 15.7 miliardë dollarë.

Selipsky nuk është i ri në Amazon. Vite më parë, ai ka mbajtur një sërë rolesh në shërbimet web të kompanisë. Në vitin 2005 ai është punësuar si një nga nënkryetarët e parë të biznesit pas 11 viteve në krye të shitjeve, marketingut dhe mbështetjes së shërbimeve web.

Por, edhe pse ka qenë në poste drejtuese, emërimi i Selipsky-t doli jashtë pritshmërive të analistëve, të cilët parashikuan se vendin mund ta merrnin drejtues të lartë të brendshëm të kompanisë si Matt Garman që është ekzekutivi më i lartë i shitjeve dhe marketingut të shërbimeve web.

Nga ana tjetër, për Andy Jassy-n, zgjedhja e bërë është më e duhura.

“Adam sjell gjykimin e fortë, fiksimin te klientët, ndërtimin e ekipit, gjenerimin e kërkesës dhe përvojën e shefit ekzekutiv në një ekip drejtues tanimë shumë të fortë të shërbimeve web në Amazon”, është shprehur Andy Jassy në një letër.

Ai ka shtuar se “pasi ka qenë në një rol kaq të lartë për 11 vjet, ai e njeh mirë kulturën dhe biznesit tonë”.

Lidhur me kalimin e tij, Selipsky do të kthehet sërish në Amazon më datë 17 maj dhe do të kalojë disa javë në tranzicion përpara se të marrë zyrtarisht rolin e shefit ekzekutiv në tremujorin e tretë.

Shërbimi web në Amazon kontribuon në më shumë se gjysmën e të ardhurave totale të Amazon-it dhe potenciali i rritjes së tij është ende i madh pasi shumë kompani dhe agjenci qeveritare po lëvizin të dhënat e tyre nga server-at e brendshëm në cloud.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore