Stil

Selena Gomez rrëfen rreth veshjeve në tapetet e kuqe, zbulon më pak të preferuarin e saj


Evenimenti “Met Gala” është mes organizimesh me të rëndësishme që mbledh personazhet më të famshme, ku ata paraqesin versionin e tyre më të mirë nga stili i tyre bazuar në kodin e veshjes të caktuar nga organizatorët.

Edhe këngëtarja e aktorja, Selena Gomez, ka qenë ndër fytyrat publike që jo rrallë herë është paraqitur në tapetin e kuq të “Met Gala”.

Por, paraqitja e saj në edicionin e vitit 2015 të këtij evenimenti, duket të mos ketë qenë e preferuara e saj.

Në një intervistë për “Life in Looks” të “Vogue”, artistja ka rikujtuar disa nga veshjet e saj ndër vite, teksa ka zbuluar se nuk ndihej mirë me format e saj trupore gjatë pjesëmarrjes së saj në “Met Gala” në vitin 2015.

“Unë kam shumë luhatje me peshën time. Më kujtohet posaçërisht atë natë nuk ndihesha mirë me trupin tim. Çfarë ishte vërtetë e mrekullueshme ishte se unë mund të punoja me fustanin që t’i përshtatej trupit tim”.

Selena Gomez në “Met Gala 2015”, veshur nga Vera Wang.

“Kam kaluar një kohë shumë të bukur duke i dhënë formë këtij fustani. Mendoj se ne u bëmë bashkë dhe krijuam diçka shumë të bukur dhe diçka që mua më përshtatej mirë. Ky ishte një nga ato momentet kur unë mendova se nuk duhet të kem trupin e një 19-vjeçareje, sepse nuk jam”, ka rrëfyer ylli i hitit “The Heart Wants What it Wants”.

Selena, po ashtu ka komentuar edhe rreth dukjes së saj të preferuar përgjatë parakalimeve nëpër tapetet e kuqe të evenimenteve të ndryshme.

Ajo e ka cilësuar si veshjen e saj më të bukur, fustanin ngjyrë të kuqe të markës “Prada”, të cilin e kishte veshur në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “American Music Awards”, në vitin 2016.

Selena Gomez në “American Music Awards 2016”, veshur nga “Prada”.

“Arsyeja pse kjo është veshja ime e preferuar është sepse atë kohë bëra pak pushim nga çmenduria në të cilin jetoj. Po kujdesesha për vete dhe kjo ishte hera e parë që njerëzit mund të më shihnin pas shumë kohësh”, ka thënë Gomez.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore