Lajme

Selakoviç: Kosova nuk i përmbush detyrimet e saj ndërkombëtare


Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviç dhe Shefi i ri i delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Emanuele Joffre

“Kosova nuk i përmbush detyrimet e saj të dala nga Marrëveshja e Brukselit dhe nuk e mundëson krijimin e Asociacionit të Komunave serbe në Kosovë”.

Kështu është deklaruar Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviç, i cili gjatë ditës së hënë u takua me Shefin e ri të delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Emanuele Joffre, raporton televizioni shtetëror i Serbisë, RTS.

Selakoviç, gjatë bashkëbisedimit me Joffre, ka folur edhe për procesin e dialogut Kosovë – Serbi, duke shtuar se kompromisi është çelësi për arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Selakoviç, vuri në dukje se është e nevojshme që Prishtina të fillojë zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura, duke shtuar se Serbia pret që BE-ja, si garantues i Marrëveshjes së Brukselit, të këmbëngulë fort në këtë.

Ai, shtoi se Serbia është e hapur për vazhdimin e bashkëpunimit të plotë me BE -në, institucionet e saj dhe shtetet anëtare, si dhe për punë intensive me qëllim të përparimit dhe përshpejtimit të procesit të negociatave për anëtarësim në këtë organizatë.

Selakoviç, madje theksoi se Serbia është plotësisht e angazhuar për bashkëpunimin rajonal, ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë dhe zgjidhjen diplomatike të çështjeve të hapura.

Ndërsa gjatë ditës së hënë është konfirmuar se delegacionet e Kosovës dhe Serbisë do të takohen në Bruksel më 7 dhe 8 shtator, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të cilin po e lehtëson BE.

Ky takim pritet të jetë në nivel të shefave të ekipeve negociuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore