Lajme

Selakoviç: Do ishte fatkeqësi nëse largohet Rusia nga OKB-ja, i mbron interesat tona në lidhje me Kosovën


Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviç, deklaroi se sulmet që pasuan pas nënshkrimin e planit të konsultimit mes Rusisë dhe Serbisë, përfaqësojnë “një përpjekje për të disiplinuar Serbinë dhe qëndrimin tonë parimor të politikës së jashtme”, derisa ka theksuar se “do ishte fatëkeqësi nëse Rusia largohet nga OKB-ja”.

“Ndokush ndoshta e ka këtë ide në kokë. Për ne është thelbësore që Rusia të jetë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, e cila mbron interesat tona në lidhje me Kosovën”, shtoi Selakoviç, duke thënë se shpreson dhe beson se kjo nuk do të ndodhë.

“Ky nënshkrim nuk ka të bëjë me ndonjë komplot politik apo qëllim të keq. Nuk ka asnjë vlefshmëri ligjore dhe ne po e nënshkruajmë të njëjtën gjë me shumë vende të botës”, tha Selakoviç për TV Happy.

Ai ka thënë se Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë sepse ajo e ka qasjen e saj racionale.

Mediumi opozitar serb: BE-ja i ka vënë ultimatum Serbisë

Të marën, mediumi serb Danas ka raportuar se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, do të ketë vetëm një vit afat që të nënshkruaj një marrëveshje me Kosovën dhe një ditë afat që t’i vë sanksione Rusisë, menjëherë pasi që të formohet qeveria e re në krye me Ana Bërnabiç.

“Vuçiç ka një ditë nga formimi i qeverisë për të vendosur sanksione dhe masa të tjera kufizuese kundër Rusisë dhe Bjellorusisë dhe një vit për të nënshkruar një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme me Prishtinën”.

Nëse Serbia nuk është e gatshme të harmonizojë politikat e jashtme me ato të Bashkimit Evropian, atëherë do të përballet me masa kufizuese të BE-së.

“Nëse Bashkimi Evropian vendos për sanksione, hapi i parë do të jetë ndalimi i fluksit të parave në Serbi, pastaj anulimi i Shengenit, ndalimi i negociatave për anëtarësim në BE dhe më pas vinë sanksionet”.

Ndryshe, ministrat e Punëve të Jashtme të Serbisë dhe Rusisë, Nikola Selakoviç dhe Sergej Lavrov, nënshkruan më 23 shtator në Neë York “Planin e Konsultimit të Ministrive të Punëve të Jashtme” të dy vendeve për dy vitet e ardhshme.

Por, ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, po pret shpjegim nga Serbia se çfarë lloj dokumenti bashkëpunimi është nënshkruar me Rusinë, pas bisedimeve në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në New York.

Në një konferencë për shtyp pas hapjes së forumit rajonal “Qeverisja e mirë dhe politikat antikorrupsion në kohë pasigurie gjeopolitike”, Hill tha se “nuk është plotësisht e qartë” se çfarë përmban dokumenti, por se “në këtë moment, askush nuk duhet të nënshkruajë asgjë me Rusinë”.

“Askush nuk nënshkruan asgjë (me Rusinë). “Është e vështirë për ne ta kuptojmë, por presim një shpjegim”, tha Hill.

Ambasadori shtoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) mbështesin Serbinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, si dhe në heqjen e varësisë së saj energjetike nga Rusia “e cila bazohet në shantazh”, por se kjo ndihmë do të jetë aq sa kërkon Serbia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore