Lajme

Sekuestrohet sasia më e madhe e kokainës në Evropë


Autoritet e Bashkimit Evropian (BE), kanë sekuestruar 23 tonë kokainë. Ajo u zbulua në Gjermani dhe Belgjikë.

Një kompani me qendër në Holandë u dha autoriteteve gjermane një informacion mbi vendodhjen e drogës. Në këtë mënyrë ata gjetën 16 tonë kokainë në portin e Hamburgut më 12 shkurt.

“Asnjëherë më parë nuk është kapur kaq shumë kokainë në të njëjtën kohë”, tha policia holandeze në deklaratën e saj.

Kokaina ishte fshehur brenda kontejnerëve të ardhur nga Paraguai.

Zyrtarët doganorë urdhëruan që kontejnerët të shkarkohen. Ata zbuluan se “përtej një shtrese mallrash origjinale, qëndronin kanaçe të shumta të mbushura me kokainë”.

16 ton kokainë u gjetën përfundimisht në  1 mijë e 700 kanaçe. Secila përmbante tetë pako kokainë me peshë prej nëntë kilogramë secila.

“Hetimet e përbashkëta mundësuan që autoritetet të kapnin dhe 7.2 tonë të tjera kokainë, në portin e Antwerpen-it në Belgjikë”, thanë  zyrtarët e doganës gjermane.

Droga ishte e fshehur në blloqe druri. Sipas policisë holandeze sasia kishte si destinacion Holandën.

Gjatë këtij aksioni u arrestuar një 28 vjeçar, pronar i një kompanie importi në qytetin kryesor portual të Roterdamit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore