Shqipëria

Sekuestrohet 260 kg drogë në Vlorë, arrestohen 4 rumunë që vepronin për llogari të 5 shqiptarëve


Policia e Vlorës ka bërë me dije se në kuadër të një megaoperacioni antidrogë janë arrestuar katër shtetas rumunë, të cilët shtireshin si turistë dhe ndaheshin në çifte duke marrë me qira campera me të cilët trafikonin drogë nga Shqipëria.

Veprimtaria në fjalë mësohet se kryhej për llogari të disa shtetasve shqiptarë, të cilët sipas Policisë janë shpallur në kërkim.

Në total janë sekuestruar rreth 260 kilogramë lëndë narkotike kanabis në dy mjetet campera të përshtatur për transportimin e lëndës narkotike nga Shqipëria drejt Greqisë.

“Në orët e para të mëngjesit u bë e mundur kapja dhe prangosja e 4 shtetasve rumunë që transportonin një sasi prej 260 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa, me 2 automjete luksoze të tipit Camper, me targa rumune, me qëllim trafikimin e kësaj lënde në shtetin grek e më tej”, deklaroi Policia.

U arrestuan në flagrancë shtetasit: M. C., 20 vjeç, M. C., 20 vjeçe, F. T., 24 vjeç dhe A. P., 21 vjeçe, të katërt me shtetësi rumune.

Po ashtu janë shpallur në kërkim 5 shtetas, si bashkëpunëtorë në këtë veprimtari kriminale, por për arsye hetimi të dhënat e tyre nuk bëhen publike.

Gjatë kontrollit të automjeteve të tyre, në tentativë për të dalë nga territori shqiptar, u gjetën të fshehura në një ndarje të fshehtë dhe të përshtatur artificialisht, në automjet, një sasi prej 260 kilogramë lëndë narkotike.

Sakaq, vendet e fshehta të përshtatura u zbuluan në të dy automjetet e sekuestruar.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, për llogari të disa bashkëpunëtorëve të tyre shqiptarë, tashmë të shpallur në kërkim, kamufloheshin si turistë, duke marre me qera campera luksozë, dhe të ndarë në dy çifte kryenin trafikimin e lëndës narkotike nga vendi ynë për në Greqi dhe më tej.

Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë vijon puna për dokumentimin e plotë të këtij rasti, si dhe për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë të bashkautorëve të tjerë shqiptarë tashmë të shpallur në kërkim nga Policia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore