Shqipëria

Sekuestrohen pasuri me vlerë 2 milionë euro në Tiranë


Policia e Tiranës i ka sekuestruar një 39-vjeçari gjashtë apartamente, tre garazhe, tre makina dhe një arë, totali i të cilave mendohet të jetë 2 milionë euro. Kjo erdhi pas dyshimeve se pasuria e tij mund të jetë vënë me aktivitete kriminale.

Lajmi u bë i ditur nga blutë e Tiranës, të cilat njoftojnë se pasuritë i përkisnin shtetasit R. P., banues në Tiranë dhe i ishte vendosur sekuestro preventive nga Gjykate e Shkallës së Parë në Tiranë.

39-vjeçari nuk është emër i panjohur për policinë, pasi ky shtetas është arrestuar në vitin 2018, nga autoritetet policore angleze, si i dyshuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa në vitin 2007, është dënuar me shtatë vjet burgim nga autoritetet e drejtësisë në vendin tonë, për të njëjtën vepër penale.

Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, u sekuestruan një pasuri e paluajtshme (arë), në Valare, Gjirokastër, pesë apartamente në zonën e quajtur “Komuna e Parisit”; tre garazhe në zonën e quajtur “Komuna e Parisit”, një apartament në Yzberisht dhe tre automjete.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore