Lajme

Sekuestrohen 375 mijë euro para të falsifikuara


Mbi 375 mijë euro të falsifikuara janë sekuestruar nga Policia e Kosovës të premten e kaluar.

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Polici ka pranuar një informatë nga Dogana e Kosovës për një pako të dyshuar, e cila ishte dërguar në Kosovë, përmes postës, nga Turqia.

Në këtë pako dyshohej se kishte ‘para’ që mund të ishin të falsifikuara. DHKEK në koordinim me Prokurorinë e Shtetit ka zbatuar masat e fshehta të hetimit dhe vëzhgimit dhe kjo pako ka qenë nën masat e vëzhgimit deri në destinacionin e caktuar.

“Më 02.04.2021 rreth orës 14:30 sipas procedurave kjo pako është tërhequr nga posta në Mamushë nga personi për të cilin ishte destinuar, i cili ishte në shoqëri edhe të disa personave të tjerë”.

Më pas, policia ka reaguar dhe të gjithë personat që janë ndërlidhur me ketë rast janë arrestuar në flagrancë.

Përveç 375,000.00 euro-ve, bankënota nga 100 dhe 50 euro, Policia ka marrë si provë material edhe gjashtë telefona celular të personave të dyshuar.

Me aktvendim të Prokurorit të Shtetit nga Prokuroria Themelore në Prizren, pesë nga gjashtë personat e arrestuar si të dyshuar janë dërguar në mbajtje kurse një është liruar në procedurë të rregullt.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore