Financa

Sejko: Stabiliteti i çmimeve, objektivi më i drejtë i politikës monetare


Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka marrë pjesë në punimet e Forumit për vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore (EQL) – një organizim i përvitshëm i “Euromoney” për të diskutuar mbi zhvillimet më të fundit ekonomike në vendet e Evropës dhe më gjerë.

Gjatë këtij paneli, guvernatorët folën mbi disa çështje kryesore, si: reagimin e bankave qendrore dhe aftësinë e tyre për të respektuar objektivin e stabilitetit të çmimeve; përgjigjen dhe masën e reagimit të ekonomive të vendeve të EQL-së ndaj sfidës së inflacionit të lartë dhe të tjera.

Guvernatori Sejko diskutoi mbi zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare dhe ndikimet e krizave të viteve të fundit.

Ai u shpreh se stabiliteti i çmimeve ka qenë dhe duhet të mbetet objektivi më i drejtë i politikës monetare.

Guvernatori shtoi se, kriza aktuale globale, e krijuar nga pandemia, nga konflikti Rusi-Ukrainë dhe nga kriza e çmimeve, i përballi bankat qendrore me një sërë sfidash për të cilat duhet të merreshin masa dhe të reagohej në kohë.

Ai u shpreh se detyra e bankave qendrore për ruajtjen e stabilitetit monetar dhe financiar të ekonomive bëhet më komplekse, në prani të goditjeve të vazhduara, të forta dhe të zgjatura në kohë, si dhe të kufizimeve që ka politika fiskale si pasojë e nivelit relativisht të lartë të borxhit publik.

“Banka e Shqipërisë ka si objektiv kryesor në mandatin e saj stabilitetin e çmimeve të ndjekur nga stabiliteti financiar. Ruajtja e stabilitetit financiar është komplekse dhe kërkon përfshirjen aktive të aktorëve të tjerë institucionalë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore