Shqipëria

Sejko: Inflacioni 5.7%, konflikti i armatosur në Ukrainë solli rritje të çmimeve


Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genc Sejko, në një prononcim për mediat ka bërë me dije situatën ekonomike në vend pas konfliktit të armatosur në Ukrainë.

Fillimisht Sejko u shpreh se inflacioni në tremujorin e parë të këtij viti shënoi rritje të madhe, me kulmin gjatë muajit mars, ku arriti 5.7%.

“Inflacioni u rrit duke shënuar nivelin mesatar 4.4%. Rritja e inflacionit ishte e shpejtë në mars, ku shifra arriti në 5.7%”.

Lufta mes Ukrainës e Rusisë dhe sanksionet ndaj kësaj të fundit, sollën ndërprerje në tregtimin e mallrave.

Sipas Guvernatorit, kjo solli edhe rritjen e çmimeve.

“Konflikti në Ukrainë dhe sanksionet e vendosura ndaj Rusisë sollën ndërprerje të reja në zinxhirët globale dhe shtuan pasigurinë për të ardhmen. Ato u pasuan nga një rritje e çmimeve në tregjet botërore dhe lëvizje agresive të bankave qendrore në drejtim të shtrëngimit të politikës monetare”.

Rritja e inflacionit, theksoi ai, “ka pasqyruar rimëkëmbjen ekonomike, si dhe tendencën në rritje të pritjeve për inflacionin”.

Duke cituar Institutin e Statistikave (INSTAT), Guvernatori tha se, gjatë vitit të kaluar, është rritur me 8.5% Prodhimi i Brendshëm Bruto dhe ka rënë me 11.4% norma e papunësisë.

Rritja ekonomike do të vijojë të mbështetet nga kushtet ende të favorshme të financimit, deklaroi Sejko.

“Megjithatë, ritmi i rritjes pritet të jetë më i ngadaltë krahasuar me parashikimet e fillimvitit”, përmbylli ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore