Lajme

Seanca ndaj Thaçit dhe të tjerëve shtyhet pas zgjedhjeve në Kosovë


Konferenca e radhës për ecurinë e çështjes ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e paraparë të mbahet më 11 shkurt është shtyrë në datën 16 – dy ditë pas zgjedhjeve në Kosovë.

Në kalendarin e publikuar në faqen Dhomave të Specializuara në Hagë, shkruan se më 16 shkurt 2021, në orën 11:00, mbahet konferenca për ecurinë në çështjen “Prokurori kundër Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit”.

Në fund të muajit të kaluar Gjykata Speciale kishte refuzuar kërkesën e avokatëve për lirimin me kusht të ish-komandantëve të UÇK-së. Tani kërkesa është në Gjykatën e Apelit.

Në aktakuzën e konfirmuar për ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, thuhet se midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtator të vitit 1999, ata kanë kryer krime lufte.

Katër krerët e UÇK-së po mbahen në paraburgim në Hagë që nga koha e konfirmimit të aktakuzës, nëntor 2020.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore