Kosova

Seanca ndaj Thaçit dhe të tjerëve – Prokuroria thotë se ka shumë dëshmitarë, derisa mbrojtja kërkon hollësi


Në Gjykatën Speciale në Hagë është mbajtur konferenca e tretë mbi ecurinë e çështjes në rastin e katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

Prokurorja e rastit tha se shumë dëshmitarë do të përdoren gjatë gjykimit kundër katër të akuzuarve.

“ZPS-ja vazhdon të përmbush rregullat e veta lidhur me materialin”, tha prokurorja.

“Ne po përgatisim nxjerrjen e materialeve të tjera. Parashikojmë se nxjerrja e disa materialeve mund të kërkojë masa mbrojtëse”, tha ajo.

“Parashikohet që shumica e madhe e këtyre dëshmitarëve do të përdoren në gjyq. Jemi në proces, dëshmitarët dhe provat e tyre do t’i bëjmë të njohura kur të vijë koha”.

Prokurori Jack Smith ka kërkuar që dorëzimi i dosjes paraprake të lidhet me datën e gjykimit, dhe se mos të ketë hapësirë të madhe mes këtyre, pasi rrezikohen dëshmitarët.

“Është fakt që nëse ka hendek të madh mes nxjerrjes së gjitha dokumenteve e datës së gjyqit, atëherë do të rrezikojë dëshmitarët e kjo nuk është folur”.

“Janë vendosur masa mbrojtëse, janë bërë redaktime, është zvogëluar rreziku, por nuk është eliminuar tërësisht. Duhet të themi gjitha këto, pasi nëse lejohet kohë e madhe me muaj, atëherë nuk do t’i shërbejnë dëshmitarëve e viktimave”, ka theksuar Smith.

Ndërkohë, avokati mbrojtës i Kadri Veselti, Ben Emmerson, ka akuzuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar për çështjen e nxjerrjes së materialeve.

Ai ka thënë se është mënyrë e pa organizuar dhe kaotike se si bëhet kjo dhe se po pengohen hetimet.

“Janë 34 vendngjarje të ndryshme ku pretendohet nga Prokuroria se janë kryer krime dhe se në asnjë prej tyre nuk përmendet se ishte i pranishëm klienti im Kadri Veseli”.

Emerson i ka bërë thirrje gjykatësit që të hiqen pengesat që po bën Prokuroria në mënyrë që mbrojtja të jetë në gjendje të kryej detyrën e vet.

“Ne do t’i kërkojmë gjyqësorit të pavarur që të ndërhyjë e të sjellë në rrugën e duhur Prokurorinë. Nuk duhet lejuar Prokuroria ta dërgojë këtë në drejtim të gabuar. Duhet të hiqet kjo vijë. Nuk është sulm ndaj një personi, por është sulm ndaj mënyrës se si funksionon Prokuroria”.

Edhe avokati tjetër mbrojtës David Young ka folur për vështirësitë në lidhje me materialet e ofruar nga prokuroria.

Vërejtje për punën e Prokurorisë ka pasur edhe avokati i ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit.

David Hooper ka deklaruar se janë bërë të ditur 124 dëshmitë në rastin e klientit të tij, mirëpo nuk është dhënë asnjë informatë rreth tyre.

“Ka dëshmitarë që s’janë bërë të ditur, nuk është dhënë ndonjë përmbledhje, çfarë do të diskutojnë këta dëshmitarë. Asnjë dëshmitarë nuk është bërë i njohur bashkë me provat sepse kur ka një dëshmitar, duhet të ketë edhe të dhëna”.

Prokurorja e Specializuar i është përgjigjur akuzave dhe kritikave të avokatit mbrojtës të Veselit, Ben Emmerson.

Ajo tha se Emmerson po flet gjëra të pasakta, ndërsa tha se parashtrimet e tij janë vetëm çështje retorike.

“Mbrojtja e zotit Veseli foli për elemente, pra për volumin kaotik të dokumenteve. Kjo është e pasaktë. Është fakt që mbrojtja e Veselit foli vetëm për çështje retorike. Mbrojtja në fakt është pajisur me një udhëzim specifik të lidhur me materialin e nxjerrë në formatin e rregullës që është ekzaktësisht udhëzimi që ka marrë gjykatësi i procedurës paraprake”, ka thënë prokurorja.

Në fillim të seancës, Zyra e Prokurorit të Specializuar, përmes një parashtrese drejtuar gjyqtarit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou, ka kërkuar sërish që fillimi i gjykimit të jetë në shtator të vitit 2021.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore