Lajme

Seanca e parë plenare – Kuvendi themelon komisionet


Kuvendi i Kosovës

Përbërja e re Kuvendit të Republikës së Kosovës ka mbajtur seancën e parë plenare me fillim në orën 10:00. Deputetët e rinj menjëherë pas fillimit të seancës kanë bërë betimin e tyre formal.

Në Legjislaturën e tetë, Kuvendi i Kosovës ka themeluar 14 komisionet e tij, duke votuar me 99 vota për, një abstenim dhe asnjë votë kundër. Gjithashtu, janë emëruar edhe anëtarët e këtyre komisioneve, duke dërguar secili grup parlamentar emrat e anëtarëve për komisionet përkatëse dhe votimin e tyre e kanë bërë me 104 vota për dhe asnjë abstenim dhe asnjë votë kundër.

Themelimi i këtyre komisioneve parlamentare kërkon që të votohet së paku nga 2/3 e deputetëve.

Gjatë seancës, partitë opozitare ngritën debat për çështjen e pandemisë COVID-19 dhe çështjen e energjisë elektrike. Ndërsa, kërkesë e kryeministrit Albin Kurti ishte që çështjet qeveritare të mos bëhen pjesë e seancës sepse më urgjente është çështja e zgjidhjes së Presidentes (duke aluduar në zonjën Vjosa Osmani) se sa debati të cilin ngriten subjektet politike opozitare në Kuvend. Andaj, kjo krijoi një debat mes kryeministrit Kurti dhe deputetëve opozitarë.

Deputeti nga partia më e madhe opozitare Partia Demokratike e Kosovës, Bekim Haxhiu, tha se vaksinimi i kryeministrit Kurti ishte në promovim të vaksinimit, por pse nuk e bëri një gjë të tillë Presidenti në detyrë, por vetëm ai.

Gjithashtu, potencoi se procesi i vaksinimit ka shumë mangësi, sidomos në raport me qytetarët e moshuar, pasi që atyre përveç tjerash ju kërkohet aplikimi online, dhe ju kërkohen edhe shumë detaje të tjera, gjë që për ata është mjaftë e vështirë ta bëjnë një proces të tillë. Më tej deputeti Haxhiu kërkoi nga ministri i shëndetësisë dhe Qeveria që të sigurohen dozat shtesë të vaksinimit.

Nga ana tjetër Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia iu përgjigj deputetëve në çështjen e ngritur se kanë pranuar konfirmim edhe nga kompanitë e tjera për sjelljen e vaksinave në Kosovë.

Ai po ashtu, paralajmëroi se në ditët në vijim do të ketë masa të reja kundër pandemisë COVID-19.

“Jemi duke  punuar vazhdimisht në këtë drejtim. Masat që do të merren ditët në vijim nga terren është mirë që të respektohen nga të gjithë. Plani për vaksinim është përpiluar. Fillon me punëtorët shëndetësor dhe fillon me personat mbi moshën 80 vjeçare. I kemi listat e tyre. Ata nuk do të kenë nevojë që të aplikojnë online por edhe do t’i ftojmë. Të gjithë ata do t’i marrin vaksinat me këtë kontingjent”, theksoi ai.

Ndërsa deputeti nga partia opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, kërkoi që çështja e energjisë elektrike duhet të trajtohet menjëherë dhe në mënyrë serioze.

“Ne si grup parlamentar i AAK-së konsiderojmë se nëse nuk e trajtojmë atë çështje si Qeveri, çmimi i energjisë mund të rritet”.

Ai kërkoi që Qeveria të marr vendim sa ma parë. Po ashtu, lideri i AAK-së, deputeti Ramush Haradinaj, në fjalën e tij, iu drejtua kryeministrit Kurti duke e bërë përgjegjës atë në rast se rritet çmimi i energjisë elektrike për qytetarët.

Kryeministri Kurti në disa raste mori fjalën në seancën duke replikuar me deputetët opozitarë.

Ai tha se “shumë probleme që i kemi sot, rrënjët i kanë të vjetra. Edhe çështja e energjisë problemin e ka qysh tek privatizimi i distribuimit të energjisë elektrike. Nëse bëjmë shumëçka, nuk mund të bëjmë gjithçka“.

Ai më tej u shpreh se ministrja, si doktore e ekonomisë, nuk mund t’i gjej problemet që i kemi në librat e ekonomisë por, në librat e kriminalitetit”.

Ai më tej u shpreh se “problemet që i kemi në sektorin e ekonomisë i kemi të trashëguara dhe janë shumë të vjetra dhe të thella, andaj ne nuk mund t’i zgjedhim as për një javë as për javët në vijim”.

Kryeministri Kurti disa herë e potencoi se më me urgjencë është zgjidhja e Presidentes se sa debati dhe “humbja e kohës” që po zhvillohej në seancë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore