Lajme

S’e zbatoj vendimin e Kushtetueses për Manastirin sa të jem kryetar i Deçanit, thotë Ramosaj


Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka thënë se deri sa të jetë kryetar i kësaj komune, nuk do ta zbatoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit.

“Këtë vendim e kemi quajtur të ndikuar politikisht, me shumë gabime procedurale të cilat mund edhe t’i theksojmë nëse i hyjmë përmbajtjes. Ka shumë gabime juridike që edhe realisht janë procedura gjyqësore të papara në vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe qëndrimi im është që unë si kryetar deri nuk do e zbatojë këtë vendim si të tillë”, tha Ramosaj në Tëvë1

Ambasadorët e QUINT-it në Kosovë përmes një deklarate të përbashkët kanë kërkuar zbatimin e këttij vendimit nga komuna e Decanit.

Në maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konfirmoi pronësinë e Manastirit të Deçanit mbi disa hektarë tokë. Pavarësisht këtij vendimi dhe kërkesave të mëvonshme, vendimi i Gjykatës ende nuk është zbatuar.

“Zbatimi i shtetit të së drejtës dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë detyrime për të gjitha qeveritë e zgjedhura në mënyrë demokratike”, thuhej në letrën e QUINT-it.

“Ato janë gjithashtu parakushte të nevojshme për konsolidimin demokratik të Kosovës dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike.

Procesi gjyqësor për çështjen se kujt i takojnë 24 hektarë tokë dhe pyje – ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” apo Manastirit mesjetar të Deçanit – zgjati nga viti 2000 deri në vitin 2016, kur Gjykata Kushtetuese vendosi në favor të Manastirit.

Gjykata Kushtetuese, asokohe, hodhi poshtë vendimin e Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, të vitit 2015, për kthimin e lëndës në Gjykatën Themelore në Deçan dhe konstatoi se vendimi i mëparshëm i Gjykatës Supreme i vitit 2012, i cili vërtetonte pronësinë e Manastirit mbi tokën e kontestuar, është “res judicata”, apo gjykim i formës së prerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore