Lajme

Schumer dhe Gillibrand, thirrje për dorëheqjen e Guvernatorit Cuomo


Guvernatori i New Yorkut, Andrew Cuomo,  u shpreh të premten se nuk do të dorëhiqet pavarësisht akuzave në rritje ndaj tij për ngacmim seksual. Ai kritikoi koalicionin e demokratëve që po kërkojnë dorëheqjen e tij duke i cilësuar si “të nxituar e të rrezikshëm”.

Dy nga senatorët e Neë Yorkut , udhëheqësi i shumicës në senat Chuck Schumer dhe senatorja Kirsten Gillibrand bënë thirrje për dorëheqjen e tij.

“Për shkak të akuzave të shumta, të besueshme të ngacmimit seksual dhe sjelljes së papërshtatshme, është e qartë se Guvernatori Cuomo ka humbur besimin e partnerëve të tij qeverisës dhe banorëve të New Jorkut” , u shprehën senatorët.

Guvernatori demokrat, u shpreh më herët se nuk do të japë dorëheqjen pasi sipas tij nuk i ka kryer ato veprime.

“Njerëzit e dinë dallimin mes lojës politike, përkuljes përpara kulturës së përjashtimit dhe së vërtetës”.

Shtohet numri i ligjvënësve që kërkojnë dorëheqjen e guvernatorit

Të premten e 21 marsit ligjvënësit Jerry Nadler, Ocasio-Cortez, Jamaal Bowman, Mondaire Jones, Nydia Velazquez, Adriano Espaillat, Carolyn Maloney, Grace Meng, Antonio Delgado, Brian Higgins dhe Yvette Clarke kërkuan dorëheqjen e zotit Cuomo, duke iu bashkuar ligjvënëses Kathleen Rice, e cila kishte kërkuar më parë dorëheqjen e tij.

Gjithashtu, republikanët e organit ligjvënës kanë kërkuar dorëheqjen e tij, mes të cilëve janë Nicole Malliotakis, Elise Stefanik, Claudia Tenney dhe Lee Zeldin.

Demokratët theksuan edhe disa kritika të tjera të ngritura ndaj Cuomo-s që lidhen me mbajtjen sekret prej muajsh të numrit të banorëve në shtëpitë e të moshuarave që kanë humbur jetën nga COVID-19.

Carl Heastie miraton hapjen e hetimit për akuzat ndaj Guvernatorit Cuomo

Kryetari i Asamblesë së Shtetit të Neë Yorkut, Carl Heastie, tha të enjten e 11 marsit se ai ka autorizuar Komisionin e tij të Drejtësisë për të filluar një hetim ndaj Guvernatorit Andrew Cuomo. Akuzat ndaj tij janë ngritur për ngacmime nga gjashtë gra.

Hetimet ndaj tij

Hetimi i komisionit, i cili do të jetë paralel me atë që drejtohet nga Prokurorja e Përgjithshme e Shtetit, Letitia James, do të ketë autorizimin për të intervistuar dëshmitarët, për të bërë kërkesa për dorëzim dokumentesh dhe për të vlerësuar provat, tha Heastie.

“Njoftimet mbi akuzat në lidhje me guvernatorin janë serioze”, tha Heastie në një deklaratë.

Cuomo, 63 vjeç, ka mohuar të gjitha akuzat nga gratë, shumica e të cilave janë ish-ndihmëse të tij. Gruaja e fundit është një ndihmëse, e cila nuk ka pranuar të identifikohet, që sipas një artikulli në gazetën “Times-Union”, të publikuar të martën Cuomo e kishte përqafuar dhe përkëdhelur atë pasi e kishte ftuar atë në rezidencën ekzekutive .

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore