Lajme

Schröder thotë se Putin është i hapur për negociata me Ukrainën


Ish-kancelari gjerman Gerhard Schröder thotë se presidenti rus Vladimir Putin është i hapur për një zgjidhje diplomatike me Ukrainën.

Lajmi u bë i ditur gjatë një interviste për Stern dhe RTL/ntv.

Schröder konfirmoi se u takua me Putin-in javën e kaluar.

“Lajmi i mirë është se Kremlini dëshiron të arrijë një zgjidhje të negociuar. Tashmë ka pasur një qasje të negociuar për konfliktin midis Ukrainës dhe Rusisë, për shembull në Stamboll në mars. Turqit kanë qenë shumë të dobishëm sepse kanë qenë të përfshirë në negociatat për furnizimin me drithë”, u shpreh fillimisht ish-kancelari.

Sipas tij, kjo për momentin është shumë e dobishme.

Schröder shtoi se suksesi i parë i cili ishte marrëveshja e grurit, ndoshta mund të zgjerohet ngadalë para armëpushimit.

Ai foli gjithashtu në favor të rolit ndërmjetësues të Gjermanisë në zgjidhje dhe sipas tij nuk po bëjnë mjaftueshëm për momentin.

Javën e kaluar u bë e ditur se ish-kancelari i Gjermanisë, Gerhard Schröder, mbërriti në Moskë me “pushime” për disa ditë.

Zëdhënësi i Kremlin-it, Dmitry Peskov, nuk përjashtoi më pas një takim mes ish-kancelarit gjerman dhe presidentit rus.

Ish-udhëheqësi gjerman e dënoi pushtimin si të pajustifikuar, por nuk e kritikoi Putinin.

Ky qëndrim shkaktoi kritika të ashpra nga i gjithë spektri politik i Gjermanisë.

Ai gjithashtu vazhdoi të mbante poste fitimprurëse në gjigantët rusë të energjisë derisa presioni publik dhe politik e detyruan të hiqte dorë prej tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore