Sport

Schalke bie nga kategoria pas 33 vitesh, ultrasit sulmojnë lojtarët


Schalke 04 ka humbur ditën e martë përballjen me Armina Bielefeld-in 0-1 dhe në këtë mënyrë ka vulosur rënien nga Bundesliga. Klubi kishte që nga viti 1988 që nuk binte nga kategoria. Një situatë e tillë ka sjellë revoltë te ultrasit e ekipit që kanë sulmuar lojtarët.

Një nga lojtarët e Schalke-s, foli për Sport1 gjerman, duke mos e bërë publik emrin. Ai solli disa fakte rreth situatës që ishte krijuar midis lojtarëve dhe ultrasve të ekipit.

“Na thanë me zë të lartë dhe të qartë se duhet të kemi turp nga vetja dhe të gjithë lojtarët nuk duhet të jenë vitin e ardhshëm aty, por të dorëhiqen. Nëse kjo nuk do të ndodhë, jeta do të bëhej ferr i vërtetë për ne”, tha ai.

“Ne u sulmuam me vezë. Pas kësaj, filluan fishekzjarret dhe situata përshkallëzojë. Tifozët erdhën drejt nesh. Në atë moment, ne vetëm po vraponim”.

“Ishte frikë, frikë e madhe. Disa prej nesh u goditën. Unë jam i tronditur dhe nuk e di se si do t’i luajmë ndeshjet e ardhshme”,

Schalke ka edhe katër ndeshje të mbetura për këtë sezon, ndonëse tashmë dihet që sezonin e ri do e fillojë në Bundesligën e Dytë.

Archie Rhind-Tutt, gazetari i ESPN për Bundesligën shpërndau në Twitter pamje filmike nga sulmi i tifozëve kundrejt lojtarëve.

Edhe vete klubi i Schalke-s ka reaguar në deklaratë zyrtare ku dënon sulmin ndaj lojtarëve të tyre.

“Përkundër zhgënjimit dhe zemërimit të kuptueshëm për rënien tonë në Bundesligën 2, klubi kurrë nuk mund të pranojë rrezikimin fizik të lojtarëve dhe stafit tonë”.

“Kjo është pikërisht ajo që ndodhi gjatë përballjes së mbrëmshme. Klubi dënon me forcë këtë sjellje dhe qëndron pranë stafit tonë”.

“Një hetim mbi incidentin është duke u zhvilluar tashmë. FC Schalke 04 nuk do të japë komente mbi këtë çështje derisa të sqarohen gjërat”, përfundonte deklarata e klubit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore