Lajme

S’bie Qeveria në Mal të Zi, tërhiqet opozita


Opozita në Mal të Zi ka njoftuar se është tërhequr nga iniciativa për votimin e mosbesimit të Qeverisë, raporton mediumi malazez Vijesti.

“Pas njoftimit nga Fronti Demokratik se do të paraqesë nismë për shkurtimin e mandatit të Kuvendit dhe pasi opozita e bashkuar filloi procedurën e mosbesimit ndaj Qeverisë, besojmë se bisedimet për formimin e një shumice të re parlamentare duhet filluar pa vonesë”, thuhet në deklaratën e përbashkët të opozitës në Malin e Zi.

“Jemi të bindur se do të formohet një shumicë e re parlamentare dhe në atë mënyrë do të krijohen parakushte të nevojshme për rrëzimin e Qeverisë dhe shkarkimin e kryetarit të Parlamentit të Malit të Zi”.

“Për këtë arsye ne tërheqim iniciativën për votim mosbesimi ndaj Qeverisë së Malit të Zi”, thuhet në deklaratën e përbashkët të opozitës në Malin e Zi”.

Në fund të nëntorit, 40 deputetë të opozitës dorëzuan në procedurë parlamentare nismën për votëbesimin e Qeverisë.

Në deklaratat e tyre të mëparshme, disa prej tyre pretendonin se kishin një shumicë mosbesimi ndaj qeverisë aktuale.

Mosbesimi i Qeverisë kërkon votën e 41 deputetëve, nga gjithsej 81 sa janë në mbledhjen aktuale të Kuvendit të Malit të Zi.

Sipas Kushtetutës së Malit të Zi, propozim për mosbesimin e Qeverisë mund ta paraqesin së paku 27 deputetë. Nëse Qeveria fiton besimin e Parlamentit, nënshkruesit nuk mund të paraqesin të reja përpara afatit 90-ditor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore