Lajme

SBASHK’u – Nagavc’it: 100 euro shtesë në rroga, ose hyjmë në grevë


Ilustrim

Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Kulturës ka kërkuar nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, që pas rritjes së çmimeve të disa artikujve esenciale, punëtorët në sistemin arsimor të marrin shtesa prej 100 eurosh nga muaji i ardhshëm.

Mos plotësimi i kësaj kërkese sipas Sindikatës në fjalë mund të shkaktojë edhe veprime sindikale, pa përjashtuar këtu edhe grevat.

“SBASHK i është drejtuar ministres Nagavci që ajo ta ngritë në Qeveri dhe të aprovohet kërkesa e SBASHK-ut që nga muaji prill një shtesë prej 100 euro mbi pagat aktuale për të gjithë të punësuarit në sistemin arsimor dhe në shkencë e kulturë dhe kjo të vlej deri në kohën kur Ligji i pagave, pas dakordimit e marrëveshjes me SBASHK-un dhe sindikatat tjera të aprovohet dhe të nis së zbatuari”, thuhet në njoftimin e SBASHK.

Sipas SBASHK, pagat e punonjësve të sistemit arsimor nuk kanë lëvizur me vite derisa çmimet ngriten çdo ditë.

“Në situatën që sa vjen e vështirësohet, familjet që nuk kanë as edhe një të punësuar dhe ato me paga të ulëta po ngulfatën duke u zhytur në varfëri e skamje ekstreme, por me këto ngritje marramendëse e të përditshme të çmimeve edhe familjet që kishin paga pak më të larta kanë nisur të rrëshqasin drejt varfërisë e skamjes. Qeveria vazhdon me vlerësimet e me deklaratat pa bërë as edhe një veprim konkret për të ndihmuar punëtorët e arsimit dhe gjithë të tjerët në përballje  me situatën tepër të rënduar nga gjithë këto ngritje të çmimeve të artikujve elementar jetësor”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore