Lajme

SBASHK-u pas ekzekutimit të pagave: Mund të diskutojmë për kompensimin e orëve


Ilustrim: Rrahman Jasharaj dhe Arbërie Nagavci

Ymer Ymeri, koordinatori për organizim të brendshëm në Sindikatën e Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Kulturës dhe njëherit nënkryetar i kësaj sindikate, ka konfirmuar për Albanian Post, se ka filluar ekzekutimi i pagave për mësimdhënësit të cilët ishin në grevë gjatë muajit shtator.

Edhe pse ekzekutimi i pagave deri më tani ka qenë i pjesshëm, Ymeri beson se për një kohë të shkurtër të gjithë mësimdhënësit grevistë do të pranojnë në llogaritë e tyre bankare pagën e muajit shtator.

“Ka filluar ekzekutimi, ende nuk janë ekzekutuar të gjitha, por mund të ju konfirmojë se ekzekutimi ka filluar”.

Për Ymerin ekzekutimi i pagave është një lajm i mirë dhe një gjë e tillë bënë që ata të shpresojnë se në ditët në vijim do të mund të diskutojnë të gjitha çështjet e ngritura nga ana e tyre me eksponentë të qeverisë.

“Është lajm i mirë kemi insistuar në vazhdimësi për ekzekutimin e pagave, jemi të gëzuar që janë ekzekutuar pagat edhe pse me 1 javë vonesë, megjithatë është një lajm i mirë”, ka shtuar ai.

Sipas Ymerit kërkesa e Ministrisë së Arsimit për të kompensuar orët e humbura si shkak i grevës, është një çështje e cila mund të diskutohet gjithmonë në kuadër të dialogut Sindikatë-Ekzekutiv.

“Do të bisedojmë për atë çështje, nëse Ministria e Arsimit është e interesuar për dialog ne jemi për të biseduar, primare për ne ishte ekzekutimi i pagave, pastaj për kompensimin e orëve do të bisedojmë ashtu siç shkruan në kontratën kolektive”, ka shtuar ai.

Megjithatë të njëjtën gjë nuk e thotë edhe ministri i Financave, Hekuran Murati.

Sipas tij tashmë zëvendësimi i orëve të humbura mësimore është një akt i kryer dhe për këtë nuk nevojitet aspak diskutim.

“Pas konfirmimit të listave nga komunat, Thesari sot ka ekzekutuar pagesën e paradhënies për orët e muajit shtator që do të zëvendësohen sipas kalendarit të ri mësimit, të miratuar nga MASHTI”, ka shkruar ai në rrjetin e tij social në Facebook.

Ymer Ymeri

Pas një maratone interpretimesh të ligjeve e akuzave të ndërsjella, Qeveria e Kosovës ka vendosur që të ekzekutojë pagat për mësimdhënësit grevistë.

Lajmin për ekzekutimin e pagave e ka bërë të ditur për Albanian Post, Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.

“Po, janë ekzekutuar pagat për mësimdhënësit grevistë”, tha Ibrahimi për AP.

Gjithsesi, pagat për grevistët nuk kanë dalur për muajin shtator, sepse siç e ka interpretuar Qeveria nenin 18 të Ligjit për Greva, grevistët nuk kanë  të drejtë të paguhen për kohën sa kanë qenë në grevë.

Por, ata po paguhen në avancë për ato orë mësimi që do të zëvendësohen gjatë vitit shkollorë meqë u humbën në muajin shtator.

Gjatë ditës së sotme është mbajtur edhe seanca e Kuvendit të Kosovës ku opozita ka kritikuar qeverinë për “luftën e pakuptueshme” me grevistët.

Është akuzuar kryesisht ministri i Financave, Hekuran Murati, për mos ekzekutim të pagave në një kohë kur në Kosovë ka vështirësi të mëdha ekonomike për shkak të inflacionit dhe rritjes së çmimeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore