Lajme

SBASHK-u: Kurti s’do dialog, do protesta, ia plotësojmë dëshirën në shtator


Ilustrim

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, përmes një komunikate për media ka njoftuar se kjo sindikatë së bashku edhe me sindikatat e tjera në kuadër të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, kanë shterur që të gjitha rrugët e mundshme për të ftuar në tryezën e dialogut, Qeverinë e Kosovës.

Rrjedhimisht, SBASHK-u, ka njoftuar se Qeveria shkollat nuk do t’i gjej me fillim të vitit shkollor e as me përgatitjet për fillimin e vitit shkollor, po me grevë të përgjithshme, që nga çerdhet e deri në Universitete.

“Duke u përballur me qasjen e tillë të Kurtit dhe Qeverisë që ka mbyllur hermetikisht dyert për dialog, SBASHK-u me keqardhje informon opinionin e gjerë se janë harxhuar të gjitha mjetet sindikale dhe nuk kemi as një fije shprese se Kryeministri do të ndryshoj qasjen dhe prandaj bazuar në Ligjin e grevave ne do të jemi të shtyrë t’ia plotësojmë dëshirën Kryeministrit dhe Qeverisë”, thuhet në komunikatën për media.

Sipas tyre, njoftimi në fjalë nuk është sa për thënë diçka, por është vendim i Këshillit Drejtues dhe organeve tjera të SBASHK-ut, nëse deri në shtator nuk plotësohen kërkesat tashmë të njohura.

Për sindikalistët, kryeministri Kurti nuk po e qan kokën as pas letrave mbështetëse të ardhura nga kreu i Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës, e as protestës të mbi 18 mijë e 500 pjesëmarrësve, por po vazhdon me avazin e vjetër.

“SBASHK-u dhe sindikatat tjera në kuadër të BSPK-së filluan me veprime sindikale duke organizuar protesta e duke mbajtur edhe grevë njëorëshe. As këto nuk i bënë përshtypje Kurtit e as Qeverisë së tij”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore