Lajme

SBASHK-u kërkon të ekzekutohen pagat shtesë dhe të llogaritet rritja nga përvoja vjetore


Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës në Kosovë (SBASHK), përmes një letre adresuar ministrit të Financave, Hekuran Muratit, ka kërkuar që në pagat për muajin prill të ekzekutohen edhe shtesat e muajit mars dhe të llogaritet rritja nga përvoja vjetore.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, në një prononcim për Albanian Post, ka thënë se deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje për takim nga ministri Murati.

“Dy herë i kemi dërguar letër zyrtare dhe nuk kemi marrë përgjigje. Qëllimi ynë është që të takohemi me të, për të biseduar dhe për të kërkuar nga që të realizojë vendimin e Qeverisë për shtesën në paga për punëtorët e arsimit, i cili është arritur në 18 shkurt 2021”, është shprehur Jasharaj.

Sipas tij, një shtesë e tillë është realizuar vetëm në muajin shkurt, prandaj SBASHK-u ka kërkuar që kjo shtesë të realizohet edhe për muajt në vijim.

Në letrën e publikuar nga SBASHK-u, thuhet se “muaji prill është muaji kur bëhet ngritja  përvojës së punës për një vit dhe shpresojmë që në pagat e muajit prill, kjo ngritje do të pasqyrohet në listat e pagave”.

“Për çdo vit në muajin prill në sektorin e arsimit bëhet lëvizje në vitet e shërbimit. Marrëveshjen me qeverinë e kemi, se në çdo prill shtohet një vit përvojë pune dhe shtohet edhe 0.5 për qind e vlerës apo sasisë së pagës”, ka sqaruar ai.

Sipas Jasharajt, një çështje tjetër urgjente është edhe çështja e mësimdhënësve me sëmundje të rënda, të cilët janë liruar nga puna me pagesë të plotë, por që në kohën e fundit “këta punonjës janë ftuar të kthehen në punë me arsyetimin se Ministria e Financave nuk ia ka bartur mjetet financiare komunave për t’i paguar të punësuarit që e bëjnë zëvendësimin e kësaj kategorie”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore