Film

Shuhet Otsuka, monolit i animacionit në Japoni


Një ndër ikonat monolite të animacionit japonez shuhet nga jeta në moshën 89-vjeçare. Yasuo Otsuka ka punuar për disa nga shtëpitë e animacionit më të famshme të të gjitha kohërave: Toei Animation, TMS Entertainment dhe Studio Ghibli, duke bashkëpunuar me to për të krijuar kryevepra, që kanë testuar kohën, teknologjinë dhe filozofinë.
Nëse “Toei” mund të stonojë, Dragon Ball melodizon syrin. Nëse “TMS” shkakton disonancë, Akira krijon harmoni dhe nëse “Ghibli” duket si një gafë gramatikore Frojdiane, Spirited Away është perfeksion psiko-spiritual Jungian.
Jeta e Otsuka-s

Otsuka ishte vetëm 10 vjeç kur ndërsa vizitonte qytetin Tsuwano, për herë të parë pa një lokomotivë me avull. Ai u mahnit aq shumë, saqë menjëherë mori lapsin dhe nisi ta skiconte gjithë momentin.

Ai u lind më 11 korrik 1931, në Prefekturën malore Shimane, e cila ndodhet në pjesën perëndimore të ishullit kryesor të Japonisë, Honshu.

Interesi për lokomotivat nuk do të ndalej aty. Otsuka-s iu kthye në një pasion, jo vetëm prej pamjes së tyre, por dhe për sistemin apo mënyrën sesi funksionojnë.

Në 1945, familja e tij u shpërngul në Prefekturën Yamaguchi, ku kishte një bazë ushtarake të mbushur me autovetura, armatime dhe pajisje ushtarake të ndryshme.

Kontakti i parë i Otsuka-s me diçka të tillë, ia shtoi edhe më shumë dëshirën për ta zhvilluar pasionin e tij.

Gjatë kësaj kohe, veç skicave dhe vizatimeve të pajisjeve mekanike të asaj kohe, ai koleksiononte fleta revistash dhe librash, ku ilustroheshin teknika dhe mësime të shumëllojshme vizatimi.

Këto qenë hapat e parë me të cilët 14-vjeçari nisi udhëtimin derisa arriti të shndërrohej në një nga animatorët më me emër në histori.

Aventura profesionale e Otsuka-s filloi në 1956. Gazetat e Tokyo-s (kryeqyteti i Japonisë) kishin listuar një seri kërkesash pune nga kompani dhe punëdhënës të ndryshëm.

Ndër to, Otsuka aplikoi për Japan Animated FIlms që, pak kohë më pas, u pagëzua me emrin “Toei Animations” – përgjegjës për një seri animimesh ikonike të historisë së filmave vizatimorë dhe kinematografisë botërore, jo vetëm asaj japoneze. Dragon Ball, Sailor Moon, Saint Seyia, Hokuto no Ken [“Ken Shiro”], Evangelion, Yu-Gi-Oh, Digimon, Slam Dunk, etj; janë të gjitha me origjinë nga Toei.

Eksperienca, ndërthurur me pasionin për këtë profesion, e shtyu të shkruante disa libra për historinë e animacionit japonez.

Ndër më të dalluarit është “Sakuga Asemamire” – i konsideruar burim parësor i historisë së animimit japonez në vitet ’60-‘70 dhe njëkohësisht një manual i vyer për këdo që dëshiron të mësojë rreth këtij profesioni.

Disa nga veprat ku ka skicuar lapsi i tij, krahas ideve dhe bashkëpunimit, kanë shembur çdo barrierë kohore. Ato kanë vërtetuar se perspektiva dhe kontributi artistik japonez është një xhevahir që ka frymëzuar jo vetëm animatorë dhe piktorë si Otsuka, por dhe popullsi të tëra në mbarë botën janë prekur nga këto filma të animuar dhe libra të vizatuar.

Vlerat kulturore, fabulat, morali dhe fantazia ngërthyer në to janë testament jo vetëm për brezat e asaj kohe dhe të tanishëm, por dhe të atyre që do të vijnë.

“The Tale of the White Serpent” (Përralla e Gjarprit të Bardhë), është filmi i parë i animuar me ngjyra nga Toei Animation, ose, për t’i qëndruar besnik terminologjisë dhe për korrektësi, anime-ja e parë me ngjyra, që daton në vitin 1958. Në nder të arritjes së Toei-t, një version i restauruar i këtij filmi u projektua në 2019 në Festivalin e Kanës.

Ndërsa në SHBA, filmi u publikua në 1961 me emrin “Panda and the Magic Serpent” (Panda dhe Gjarpri Magjik).

 

Otsuka ka qenë pjesë në krijimin e një prej serive më të famshme të të gjithë kohërave, Lupin. Veç serialit të animuar, ai ka dhënë kontributin për filmin “The Castle of Cagliostro”, një histori anësore e Lupin-it, bashkë me një prej themeluesve të shtëpisë së animacionit Studio Ghibli dhe një ndër figurat më të ndritura të kësaj sfere, Hayao Miyazaki.

Figura legjendare e Yasuo Otsuka-s u shua nga jeta të hënën e 15 marsit. Familja ka njoftuar median japoneze se shkaku qe arrest kardiak.
Otsuka do të jetojë përgjithmonë brenda personazheve të pakohshme të anime-ve japoneze.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore