Lajme

Sauditët u thonë SHBA-ve se Irani mund të sulmojë mbretërinë


Shtetet e Bashkuara i janë përgjigjur raporteve për kërcënime nga Irani kundër Arabisë Saudite duke thënë se janë të shqetësuara dhe nuk do të hezitojnë të përgjigjen nëse është e nevojshme.

“Ne jemi të shqetësuar për tablonë e kërcënimit dhe mbetemi në kontakt të vazhdueshëm përmes kanaleve ushtarake dhe të inteligjencës me sauditët”, tha Këshilli i Sigurisë Kombëtare në një deklaratë të martën.

“Ne nuk do të hezitojmë të veprojmë në mbrojtje të interesave dhe partnerëve tanë në rajon”.

Gazeta “Wall Street Journal” raportoi për herë të parë për këtë mundësi ndaj Arabisë Saudite, oasi kishin marrë informacione nga inteligjenca saudite, të martën.

As Arabia Saudite dhe as Irani nuk e kanë komentuar këtë çështje publikisht.

Irani ka pretenduar, pa dhënë prova, se Arabia Saudite dhe rivalët e tjerë kanë qenë pas protestave antiqeveritare që kanë vazhduar në vend që nga mesi i shtatorit.

Në tetor, komandanti i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit paralajmëroi Arabinë Saudite që të zvogëlojë mbulimin e protestave në Iran nga kanalet satelitore të lajmeve në gjuhën perse, duke përfshirë “Iran International”, një kanal televiziv satelitor i mbështetur nga Arabia Saudite me bazë në Londër.

Hossein Salami

“Ky është paralajmërimi ynë i fundit, sepse ju po ndërhyni në punët tona të brendshme përmes këtyre mediave”, tha gjeneral-major Hossein Salami.

Shqetësimet e shtuara për një sulm të mundshëm ndaj Riadit vijnë pasi administrata Biden kritikon Teheranin për shtypjen e protestave dhe e dënoi atë për dërgimin e qindra dronëve – si dhe mbështetje teknike – në Rusi për përdorim në luftën e saj në Ukrainë.

Një nga zyrtarët që konfirmoi ndarjen e inteligjencës për “Wall Street Journal” e përshkroi atë si një kërcënim të besueshëm të një sulmi “së shpejti ose brenda 48 orëve”. Asnjë ambasadë apo konsullatë amerikane në rajon nuk ka lëshuar alarme apo udhëzime për amerikanët në Arabinë Saudite apo gjetkë në Lindjen e Mesme bazuar në të dhënat nga inteligjenca.

Zyrtarët nuk ishin të autorizuar të komentonin publikisht dhe folën në kushte anonimiteti.

I pyetur në lidhje me raportet e inteligjencës së ndarë nga sauditët, gjeneral brigade Pat Ryder, sekretari i shtypit i Pentagonit, tha se zyrtarët ushtarakë amerikanë “janë të shqetësuar për situatën e kërcënimit në rajon”.

“Ne jemi në kontakt të rregullt me ​​partnerët tanë sauditë, për sa i përket informacionit që ata mund të kenë për të ofruar në atë front”, tha Ryder.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA, Ned Price tha se Amerika ishte “e shqetësuar për pamjen e kërcënimit”, pa dhënë detaje.

Ned Price

Marrëdhënie të tensionuara

Shqetësimet e fundit vijnë në një kohë të marrëdhënieve të tensionuara midis Riadit dhe Washingtonit pasi aleanca OPEC+ e udhëhequr nga Sauditë muajin e kaluar vendosi të shkurtojë objektivat e prodhimit të naftës, gjë që ngriti frikën për një rritje të çmimit të benzinës në SHBA.

SHBA-të dhe Arabia Saudite fajësuan Iranin në vitin 2019 se qëndron pas një sulmi të madh në Arabinë Saudite lindore, i cili përgjysmoi prodhimin e mbretërisë së pasur me naftë dhe shkaktoi rritje të çmimeve të energjisë. Iranianët mohuan se ishin pas sulmit.

Sauditët janë goditur vazhdimisht në vitet e fundit nga dronë, raketa dhe mortaja të lëshuara nga rebelët Houthi të mbështetur nga Irani në Jemen. Arabia Saudite formoi një koalicion për të luftuar Houthis në vitin 2015 dhe është kritikuar ndërkombëtarisht për sulmet e saj ajrore në luftë, të cilat kanë vrarë mijëra civilë.

Në javët e fundit, administrata Biden ka vendosur sanksione ndaj zyrtarëve iranianë për shtypjen brutale të demonstruesve pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini në shtator, pas arrestimit të saj nga policia morale e Iranit. Administrata gjithashtu ka goditur Iranin me sanksione për furnizimin me dronë të Rusisë për përdorim në luftën e saj në Ukrainë.

Të paktën 288 persona janë vrarë dhe 14 mijë e 160 janë arrestuar gjatë protestave, sipas grupit Aktivistë të të Drejtave të Njeriut në Iran. Demonstratat kanë vazhduar, edhe pse Garda Revolucionare paraushtarake e frikshme ka paralajmëruar iranianët të ndalojnë.

Marrë nga Al Jazeera, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore