Libra

Satira në Politikë – “në Kosovë politikanët më shumë i pengon humori shpotitës se hulumtimet gazetareske”


Ilustrim

“Kjo është çeshtja numër një me të cilën zgjohet në mëngjes dhe bie të fle në mbrëmje zëvendësi im, Besnik Bislimi”, deklaroi Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke aluduar që “zëvendësi” i tij, rri pa gjumë, shkaku i udhërrëfyesit për rrymën në veri.

Ndërsa Bislimi, kur u pyet nga gazetarët nëse është duke fjetur sa duhet, e cilësoi banale këtë pyetje.

Situata të volitshme për shpotitje, Qeveria Kurti prodhon thuajse çdo ditë, por kur gazetarët bëjnë pyetje ironike ata sillen me nervozë dhe arrogancë.

Dardan Islami, i cili tash e sa vite merret me “Stand Up Comedy”, realitetin shoqëror në Kosovë e sheh të zymtë, pikërisht për faktin se në shoqërinë tonë mungon humori.

Për të, ky realitet reflekton pastaj në gjendjen shpirtërore dhe psiqike të të gjithë atyre që dalin para publikut.

“Si shoqëri na ka kaluar jeta në gjendje të jashtzakonshme, kriza, lufta, tranzicion dhe mendoj se kjo ka ndikuar që shoqëria të jetë në një lloj depresioni, ku humori mungon apo thënë shkurt është vështirë që diçka të na bëjë të qeshim. Është shumë e vështirë por jo e pamundur që me një material të mirë t’i bëjmë njerëzit të qeshin, duke i larguar për disa minuta nga realiteti”, thotë ai për Albanian Post.

Dardan Islami, analist, komedian

Islami theksoi se problemi në përdorimin e satirës nuk qëndron te politikanët, sepse liria e shprehjes në Kosovë garantohet me ligj, por problem që, sipas tij, nuk mund të tejkalohet është mungesa e stilit dhe autocenzura e humoristëve.

“Politikanët kosovarë nuk është se nuk e kuptojnë apo nuk e pelqejnë satirën. Mendoj se më shumë është autocenzurë e humoristëve. Kosova është vend i lirë dhe demokratik ku fjala e lirë garantohet, por problemi që unë e shoh dhe të cilin nuk po arrijmë ta tejkalojmë është stili, ai i meseleve të odave, pra në mungesë të guximit flitet për ‘okolla’, duke përdorë metafora, përdoren kryesisht stile të tejkaluara”, potencoi ai.

Komediani tregoi rëndësinë që kanë rrjetet sociale në shpërndarjen e materialeve të ndryshme. Ai bëri thirrje që njerëzit të adaptohen me këtë dinamikë të re dhe “t’i perqojnë mesazhet haptas, as me vulgarizime e as me metafora, por të përpiqemi ta zëmë një mes të artë”.

Kurse, gazetari dhe analisti politik, Valon Syla, i cili shpesh përdorë humorin dhe ironinë për të sfiduar pikëpamjet e njerëzve rreth realitetit të pakëndshëm në Kosovë, thotë për Albanian Post se për politikanët më e rëndë është satira se sa ndonjë hulumtim që shfaq korrupsionin e tyre.

“Kjo bëhet edhe më e rëndë për familjet e tyre, kur njerëzit pikërisht nga humori dhe ironia e satirës ngucen dhe preken edhe nga kusherijtë dhe rrethi i tyre i ngushtë duke u bërë më influencialë se ku me ditë çka tjetër”, thekson ai.

Sipas tij, rezistenca ndaj kësaj forme të të shprehurit vjen nga grupet dogmatike, ato fetare e politike. Syla thotë se kjo rezistencë më pas shprehet përmes organizimeve linçuese në rrjetet sociale. Ai tregohet i ashpër me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, e cila për të  “ngërthen të gjitha grupet dogmatike fetare dhe ekstremistë  politikë në radhet e saj”.

Syla, i cili ka qenë viktimë e sulmeve fizike për komentet e tij, tha se këto sulme vijnë si pasojë e prodhimit të lajmeve të rrejshme mbi të cilat grupet e lartëpërmendura i ndërtojnë akuzat e tyre linçuese.

“Sa i përket sulmeve fizike pastaj kjo shpërthen diku, por te sulmet vinë edhe rastet kur prodhohen lajme të rrejshme mbi të cilat këto grupe i ndërtojnë akuzat linçuese për t’i nxitur këto grupe ose individë nga këto grupe për sulm”, potencoi ai.

Ai vlerëson se satira politike mbetet me ndikim më të  madh se sa hulumtimet mbi korrupsionin të cilat sipas tij, nuk kanë ndikim as te drejtësia, as te publiku.

“Hulumtimet për korrupsion dhe raportimet për keqpërdorime finaciare pothuajse janë bërë bozë në mediat kosovare dhe nuk kanë shumë ndikim as te drejtësia, pra prokuroria, as te publiku i gjërë. Por satira politike mbetet më me ndikim sepse prek një shtrirje më të gjerë dhe më me ndikim, që i bënë politikanët ose pushtetarët të ngucen deri në skuqje dhe prodhon pastaj edhe përmirësim në sjelljet e tyre, ose demtim në rejtingun e tyre që rezulton nga ndërgjegjësimi i publikut për ta deri edhe te humbja eventuale elektorale”, përfundoi ai.

Valon Syla, gazetar, analist

Shumë ende e praktikojnë këtë, sepse kufiri midis satirës dhe dezinformimit të qëllimshëm rrezikon të bëhet i mjegullt.

Satira është shprehje artistike e cila përfaqëson të vërtetën sipas fuqisë së vet, sipas intelektit perceptues dhe gjenit artistik. Madje, Aristoteli thoshte se arti ka një aftësi të përfaqësojë realitetet e veprimit dhe jetës njerëzore.

Kjo formë e të shprehurit është përdorur prej kohësh, nga grekët antikë e deri në kohën e sotme, në letërsi, media, politikë e ku tjetër dhe ka mbijetuar për një arsyje.

Në  vend të  humorit, në Kosovë mbizotron ndjenja e ankthit në raport me politikanët. Frika nga praktika e linçimit publik ka bërë që satira të  përdoret mjaft pak në jetën publike. Edhe lidhja emocionale ose shoqërizimi me individë të tjerë bëhet në raport me pëlqimin që këta të fundit e kanë për një politikan, për të mos thënë kusht i saj.

Satira merr një funksion të posaçëm të analizës, të thyerjes së shtresës së stereotipeve, të besimeve, teorive, të dogmatizmave dhe të gjitha gjërave që pengojnë në një farë mënyre progresin e shoqërisë.

Ajo mund të paraqesë shpesh një përplasje mes një seleksionimi standardesh përmes demonstrimit të llojllojshmërisë së pafund të asaj që bëjnë njerëzit duke paraqitur kështu absurditetin dhe kotësinë, jo vetëm të pohimit se ç’duhet të bëjnë ata, por edhe të përpjekjeve për të sistemuar, ose për të formuluar një skemë të qëndrueshme të asaj që bëjnë.

Kjo lë të në nkuptohet se aty ku mbizotron satira, kemi një qëndrim i cili thellësisht pranon konvencionet shoqërore, por gjithmonë thekson tolerancën dhe fleksibilitetin brenda kufijve të tyre. Ajo është botë e stilizuar paepshmërisht ku “politikani i mirë” nuk lejohet të ekzistojë.

Pra, i tërë humori kërkon pajtueshmërisht që disa gjëra, si figura e këtij politikani, është konvencialisht qesharake, sepse në fund të fundit humori përcepton të papërkryerën ose siç thotë kritiku i madh Northrop Frye, “në satirë, ironia është militante”. Kështu, satira është ironi strukturalisht e përafërt me komiken.

Politika kosovare sot operon në një arenë ku e vërteta dhe realiteti objektiv janë të prirur ndaj grupeve të interesit, politikanëve të fuqishëm dhe lloj lloj ideologjie. Për të luftuar këto prirje shoqërore, satira është mjeti i duhur. Kritikat kundër këtyre grupeve, një regjimi apo politikani të caktuar, nuk mjafton të shprehen në rrugë, madje as të fitohen.

Përkundrazi, kjo arrihet përmes satirës, sepse siç ka thënë edhe historianja amerikane, Deborah Lipstadt: “Një gjë është ta mposhtësh armikun dhe ta varrosesh. Ama është thetër gjë ta veshesh atë me kostum palaçoje dhe ta detyrosh të luajë para teje; tjetër soj goditje kjo, më dërrmuese. Ai mbijeton për të qenë dëshmitar i pafuqisë së vet”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore