Sport

Sassuolo pritet të pushtohet nga kuqezinjtë


Këtë të diele Milan-i do ta zhvillojë ndeshjen më të rëndësishme në 10 vitet e fundit, ku do të përballet me Sassuolo-n në udhëtim, në takimin e fundit në Serie A.

Kuqezinjtë janë afër shpalljes kampion për këtë sezon, sukses ky që nuk e kanë shijuar që 11 vite.

Atyre iu nevojitet vetëm edhe një pikë në ndeshjen e fundit ndaj Sassuolo-s (nëse Inter-i fiton ndeshjen e tyre), për ta fituar titullin e 19 në historinë e tyre.

Për këtë ndeshje tejet të rëndësishme që do ta zhvillojnë në udhëtim, ekipi i Milan-it pritet ta ketë një mbështetje të madhe nga tifozët e tyre.

Në stadiumin “Reggio Emilia” të Sassuolo-s, i cili ka një kapacitet prej 21 mijë ulëseve, mediat italiane shkruajnë që rreth 19 mijë prej tyre do të jenë tifozë kuqezi.

Për ekipin vendas, kjo ndeshje nuk do të ketë aspak rëndësi, pasi që ata nuk kanë më ndonjë objektivë për këtë sezon.

Në këtë mënyrë, raportohet se tifozët vendas kanë shitur biletat e tyre mysafirëve me çmime shumë të larta, të cilat shkojnë deri në 3 mijë euro.

Mbështetje e madhe për kuqezinjtë pritet të jetë edhe jashtë stadiumit, ku mediat në Itali raportojnë se do të udhëtojnë rreth 40 mijë tifozë.

Pra, të gjithë kuqezinjtë janë në pritje që ekipi i tyre të shpallet kampion duke marrë të paktën një pikë nga ndeshja e së dielës.

Në anën tjetër, ndjekësi më i afërt i Milan-it dhe njëkohësisht rivali i përbetuar i qytetit, Inter-i, do të luajë në shtëpi me Sampdoria-n.

Dyja ndeshjet do të zhvillohen këtë të diele me fillim nga ora 18:00, ku pas këtyre takimeve do të mësohet edhe kampioni i Italisë për sezonin 2020/21.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore