Lajme

Sarrazin: Procesi i Berlini s’është kundër asnjë projekti, përfshirë edhe Ballkanin e Hapur


Manuel Sarrazin

Për të dërguarin special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, Procesi i Berlinit synon të arrijë gjëra pozitive për shtetet dhe në veçanti për qytetarët e Ballkanit Perëndimor.

Procesi i Berlinit, sipas tij nuk është kundër asnjë projekti përshirë edhe iniciativën e Ballkanit të Hapur, përkundrazi ka për qëllim të çojë përpara gjërat.

Sarrazin më tej ka bërë të ditur se ai do të zhvillojë takime në Ballkanin Perëndimor për të rritur kështu pritshmëritë për Procesin e Berlinit.

“Ne kemi besim se do të ecim përpara në drejtim të Tregut të Përbashkët Rajonal, solidaritetit në energjie dhe Agjendën e Gjelbër. Ky proces po synon të arrij gjëra pozitive për qytetarët e këtij rajoni. Nuk është kundër këtij apo atij projekti”, ka thënë Sarrazin në një intervistë për gazetën gjermane Deutsche Welle.

Sipas tij fenomeni i largimit të rinjve nga Ballkani Perëndimor për një jetë më të mirë në vendet evropiane varet ekskluzivisht nga kushtet që shtetet e tyre ofrojnë për ta.

“Integrimi rajonal dhe një treg i përbashkët është një nga hapat. Sigurisht, e kuptoj kur një person vendos të kërkojë lumturin në një vend që mendon se është më i mirë. Por, mendoj se qytetarët duhet të mos fajësohen, por të përmirësohen kushtet që sa më shumë njerëz të qëndrojnë në këto shtete”, ka shtuar ai.

Ilustrim

Ndryshe Sarrazin, ditë më parë ka folur edhe për “kornizën e re” të dialogut të publikuar nga Albanian Post.

Sarrazin, me tone sugjerues e kritike, gjatë adresimit të tij përmes video linkut në edicionin e parë të Samitit të Paqes dhe Demokracisë (KPDS) që po mbahet në Kosovë, i ka sugjeruar shoqërisë civile që të mos i mbysin propozimet e reja sapo të rrjedhin në publik ato.

“Sa i përket shoqërisë civile, kam një përshtypje se nganjëherë në rajonin tuaj ka një propozim shumë të mirë, që secili do ta pëlqente, që do sillte zhvillim, dashuri e paqe për të gjithë, por mbytet sapo të ketë një rrjedhje që tregon se ky është propozimi i ri dhe më pas, natyrisht prapë fillojnë komentet (scoops)”, ka deklaruar Sarrazin.

“Prandaj mendoj se roli i shoqërisë civile është bukur krucial në njërën anë për ta përgatitur shoqërinë dhe politikanët që t’i adresojnë çështjet, që të flasin për ide dhe modele, të hapen për pyetje të vështira që do vijnë pashmangshëm në këtë rrugëtim”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore