Lajme

Sarrazin për BBC në gjuhën serbe: Çështja e targave është tejet serioze


Manuel Sarrazin

Njeriu kryesor i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, i ka thënë BBC-së në gjuhen serbe se dikujt mund të mos i duket, por çështja e targave është tejet e rëndësishme në këtë moment.

“Ka kaq shumë gjëra në sfond”, tha Sarrazin, duke folur për çështjen e tabelave të veturave, prandaj, sugjeron ai, madje edhe vetë shtetin gjerman, që “situatën rreth targave do ta merrja shumë seriozisht”.

Në anën tjetër, duke folur për marrëveshjet e arritura mes gjashtë shteteve në Procesin e Berlinit, thotë se “është e pabesueshme që në të njëjtin moment të keni një problem të madh me targat dhe pastaj kryeministrat e Serbisë dhe Kosovës të ulen në të njëjtën tryezë dhe të nënshkruajnë marrëveshje për bashkëpunim rajonal”.

Manuel Sarrazin dhe Olaf Scholz

Se a do të ketë rreziqe dhe eskalim me tensionet e ngritura në Veri, Sarrazin nuk do të përgjigjet.

“Duhet të flisni me Miroslav Lajçak për këtë, e di se ai është shumë i përkushtuar ndaj kësaj teme dhe ne mbështesim atë që ai po bën”, pohoi Sarrazin.

Megjithatë, situatën me targa e ka komentuar pak më gjatë, duke nënvizuar edhe një herë se parimisht Kosova ka të drejtë, por duke shtuar po ashtu se nganjëherë çështja është më e rëndësishme se qëndrimi strikt.

“Fleksibiliteti do të tregojë përfundimisht fuqinë politike, jo dobësinë”, deklaron gjermani.

“Qëndrimi parimor sa i përket tabelave të Qeverisë së Kosovës është i saktë, por do t’i ftoja që të tregojnë më shumë fleksibilitet në zbatimin e parimeve, sepse ndonjëherë merr më shumë nëse je fleksibël”.

“Ai që ofron zgjidhje tani do të jetë më i fortë në fund”, shtoi më pas.

Sarrazin ka komentuar edhe njëherë rolin dhe pozicionin e tij në proces, duke shtuar se megjithatë, është një person më i rëndësishmi nga të gjithë kur vije puna te dialogu i Kosovës me Serbinë.

“Ka vetëm një negociator, Miroslav Lajçak, dhe çfarëdo që ai të propozojë, Gjermania do ta mbështesë”, pohon Sarrazin.

“Unë bëj atë që ai dëshiron dhe atë që ai urdhëron, dhe nuk e kam problem të jem në kuzhinë të udhëhequr nga Miroslav Lajçak dhe të ndihmoj të presim qepët, sepse kështu duhet të funksionojë BE-ja: që vendet anëtare të mbështesin punën e Unionit. Dhe, nuk janë gatime të përgatitura mirë ato që përgatiten nga disa kuzhinierë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore