Lajme

Sanksionet e SHBA-ve nuk ndikojnë në tregtinë mes Rusisë dhe Iranit


“Sanksionet e vendosura ndaj Moskës nuk do të ndikonin në tregtinë e Rusisë me Iranin”.

Kjo ishte “garancia” që, sipas Rusisë, i ishte dhënë nga SHBA-të, duke hequr një pengesë që kishte komplikuar përpjekjet e fundit për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të Teheranit të vitit 2015 me fuqitë globale.

Zyrtarët perëndimorë ndërprenë bisedimet indirekte midis Iranit dhe SHBA-ve në Vjenë javën e kaluar, pasi Rusia kërkoi që të merrte garanci nga Washington-i, duke paralajmëruar se masa e Moskës kërcënonte të prishte negociatat.

“Kemi marrë garanci me shkrim. Ato janë të përfshira në tekstin e vet marrëveshjes”, tha të martën ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, gjatë një konference të përbashkët shtypi me homologun e tij iranian, Hossein Amirabdollahian.

Si Irani, edhe Rusia ua kthejnë përgjegjësinë zyrtarëve amerikanë, duke thënë se Washington-i duhej të adresonte kërkesat e mbetura të pazgjidhura të Teheranit për nënshkrimin e një marrëveshjeje.

“Amerikanët po përpiqen të thonë çdo ditë se ne po e pengojmë këtë marrëveshje, por kjo është një gënjeshtër”, shtoi Lavrov.

“Marrëveshja ende nuk është miratuar përfundimisht në disa kryeqytete dhe kryeqyteti rus nuk është në mesin e tyre”.

Departamenti Amerikan i Shtetit tha se nuk kishte asnjë koment mbi komentet e Lavrov-it.

Megjithatë, ai tha se SHBA-të po “vazhdonin të angazhoheshin” me Rusinë për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore, duke konfirmuar se “natyrisht që nuk do të sanksiononte pjesëmarrjen ruse në projektet bërthamore”, që ishin pjesë e kthimit të marrëveshjes në zbatimin e saj të plotë.

Departamenti i Shtetit tha se, përtej kësaj, nuk mund t’i jepte asnjë garanci të mëtejshme Moskës.

Irani dhe fuqitë globale janë shumë afër një marrëveshjeje, për të ringjallur atë bërthamore të vitit 2015.

Ky akord do të çonte në ndryshimin drastik të programit të tij bërthamor nga Teherani, në këmbim të ribashkimit të SHBA-ve në marrëveshje dhe heqjes së shumë sanksioneve ndaj republikës islame.

Por, fazat përfundimtare të bisedimeve kanë përkuar me pushtimin rus të Ukrainës dhe sanksionet e rëndësishme ekonomike e financiare të vendosura nga Perëndimi ndaj Moskës, në përgjigje të ofensivës së presidentit rus Vladimir Putin.

Rusia, e cila është nënshkruese e marrëveshjes dhe luan një rol të rëndësishëm në bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja për Iranin në Vjenë, javën e kaluar kërkoi garanci, që tregtia e saj me Teheranin do të mbrohej nga sanksionet si pjesë e çdo marrëveshjeje.

Diplomatët perëndimorë fajësuan Rusinë për krijimin e një pengese me kërkesat e saj, ashtu si një marrëveshje do të arrihej pas 11 muajsh negociatash të vështira.

Irani, i cili e konsideron Rusinë fqinje partnere të rëndësishme gjeopolitike, këmbëngul se SHBA po bllokon një marrëveshje, duke refuzuar heqjen e të gjitha sanksioneve kundër Iranit.

“Rusia nuk do të jetë pengesë për të arritur një marrëveshje dhe nuk ka asnjë lidhje midis zhvillimeve në Ukrainë dhe bisedimeve të Vjenës”, tha Amirabdollahian në konferencën për shtyp.

“Nëse arrijmë një marrëveshje përfundimtare në Vjenë me SHBA-të për disa çështje që janë vijat tona të kuqe, Rusia do të qëndrojë në anën e Iranit deri në fund të negociatave”.

Kriza u shkaktua, pasi presidenti i atëhershëm i SHBA-ve, Donald Trump, braktisi në mënyrë të njëanshme marrëveshjen bërthamore në vitin 2018 dhe vendosi sanksione ndaj Iranit.

Presidenti Joe Biden është zotuar të kthehet në marrëveshje, nëse Teherani do t’i përmbahet marrëveshjes.

Zyrtarët perëndimorë druhen se, nëse nuk arrihet së shpejti një marrëveshje, akordi i papërfunduar do të jetë i tepërt për shkak të përparimeve që ka bërë Teherani në programin e tij bërthamor.

Irani, i cili ka zgjeruar programin që nga viti 2019 dhe tani po pasuron uranium afër nivelit të armëve, dëshiron që të gjitha sanksionet e kohës së Trump-it të hiqen, duke përfshirë ato që lidhen me të drejtat e njeriut dhe akuzat për terrorizëm.

Irani kërkon gjithashtu heqjen e sanksioneve ndaj individëve, si lideri suprem, Ayatollah Ali Khamenei dhe presidenti Ebrahim Raisi, si dhe Garda Revolucionare dhe anëtarët e saj.

Ndërkohë, fati i shtetasve të dyfishtë, që ndodhen në burgjet e Iranit, është i lidhur indirekt me bisedimet bërthamore.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për Albanian Post!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore