Pajisje

Samsung-u do të investojë në planin e prodhimit të mega çipeve në Korenë e Jugut


Samsung-u ka në plan të investojë rreth 230.8 miliardë dollarë gjatë 20 viteve në përpjekjet e qeverisë së Koresë së Jugut për të zhvilluar një mega qendër gjysmëpërçuese në vend.

Çka do të shërbejë për ndërtimin e pesë fabrikave të çipave, ka thënë firma për median britanike “BBC”.

Samsung-u është prodhuesi më i madh në botë i çipave të memories, telefonave inteligjentë dhe televizorëve.

Sipas planit zyrtar, kompanive në industritë e teknologjisë së lartë do t’u ofrohen stimuj si lehtësira të zgjeruara tatimore dhe mbështetje për infrastrukturën.

“Mega-grupi do të jetë baza kryesore e ekosistemit tonë gjysmëpërçues”, ka deklaruar Ministria e Tregtisë, Industrisë dhe Energjisë e Koresë së Jugut.

Dhe se planifikon të sigurojë financime në investimet e sektorit privat dhe “të ecë përpara si një vend udhëheqës në mes të konkurrencës së ashpër globale mbi industritë e përparuara”.

Lëvizja e Koresë së Jugut vjen pasi “lojtarët kryesorë po rrisin përpjekjet për të nxitur prodhimin në sektorin e gjysmëpërçuesve”, ka thënë Paul Triolo nga firma këshilluese globale Albright Stonebridge Group.

Gjysmëpërçuesit, të cilët fuqizojnë gjithçka, nga telefonat celularë te pajisjet ushtarake, janë në qendër të një mosmarrëveshjeje të ashpër midis SHBA-ve dhe Kinës.

Në tetor, Washington-i njoftoi se do të kërkonte licenca për kompanitë që eksportojnë çipa në Kinë duke përdorur mjete ose software amerikanë, pavarësisht se ku janë prodhuar në botë.

Në të njëjtën kohë, Ministria e Tregtisë e Koresë së Jugut ngriti shqetësime mbi politikën e SHBA-ve për gjysmëpërçuesit.

Kina i ka quajtur shpesh SHBA-të një “hegjemoni teknologjike” në përgjigje të kontrolleve të eksporteve të vendosura nga Washington-i.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore