Pajisje

Samsung/ Lee shfaqet në gjyq përpara lirimit me kusht


Një ditë përpara lirimit me kusht, pasardhësi i kompanisë teknologjike Samsung, Lee Jae-yong, u paraqit në një gjykatë të Koresë së Jugut të enjten e 11 gushtit për një gjyq tjetër mbi krimet e supozuara financiare.

Agjencia e lajmeve, “Associated Press”, tregon se në fillim të kësaj jave, Ministria e Drejtësisë vendosi të lirojë Lee dhe afro 800 të burgosur të tjerë, përpara një feste të së dielës që feston pavarësinë e Koresë nga sundimin kolonial japonez në fund të Luftës së Dytë Botërore.

Lee kishte edhe një vit të mbetur nga dënimi me 30 muaj për përvetësim miliona dollarësh nga fondet e korporatave për të korruptuar presidenten e mëparshëm të Koresë së Jugut, Park Geun-hye, për të siguruar mbështetjen e qeverisë mbi një bashkim të 2015-s midis dy filialeve të Samsung-ut që forcuan kontrollin e tij mbi korporatën.

Lidhur me rastin, ai ishte pjesë e një skandali korrupsioni që përfundimisht rrëzoi Park-un, e cila u burgos në vitin 2017 dhe nuk do të lirohet deri në vitin 2039 nëse ajo do të duhet të vuajë plotësisht dënimin e saj.

Për bashkimin e vitit 2015, Lee u përball me një padi të veçantë për manipulimin e çmimit të aksioneve, shkeljet e auditimit dhe akuza të tjera. Kurse avokatët e tij kanë thënë se ai ishte viktimë e abuzimit me pushtetin presidencial dhe kanë këmbëngulur se marrëveshja e vitit 2015 ishte pjesë e aktivitetit normal të biznesit.

Të enjten, Lee u paraqit në Gjykatën e Qarkut Qendror të Seulit me ish -drejtues të tjerë të Samsung-ut të akuzuar për këtë çështje. Ndërkohë, ka thënë “po” kur një gjyqtar kërkoi të konfirmonte nëse ai do dilte nga burgu të premten.

53 vjeçari është udhëheqësi i gjeneratës së tretë të grupit të biznesit, Samsung, që u themelua nga gjyshi i tij. Ai drejton konglomeratin në cilësinë e tij si nënkryetar i Samsung Electronics, një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të çipave të kujtesës kompjuterike dhe telefonave inteligjentë.

Për sa i përket kompanisë, ajo nuk tregoi asnjë shenjë të dukshme të telasheve teksa Lee qëndroi në burg, duke transmetuar vendimet e tij të biznesit përmes vizitës së drejtuesve të kompanisë.

Madje, Samsung-u ka raportuar fitim të fuqishëm gjatë pandemisë, duke parë kërkesa më të mëdha për produktet e veta elektronike të konsumit dhe çipa të përdorura në pajisjet kompjuterike apo serverët. Kjo pasi virusi detyroi miliona njerëz të qëndrojnë në shtëpi.

Sipas “Associated Press”, lirimi i Lee do të zgjasë një histori të zemërgjerësisë me shefat e korporatave të Koresë së Jugut të dënuar për korrupsion dhe krime financiare.

Pasi fitoi zgjedhjet e mëparshme presidenciale në 2017-n, presidenti Moon Jae-in, u zotua të krijojë një “botë pa privilegje”, për të frenuar teprimet e konglomerateve të drejtuara nga familja dhe për t’i dhënë fund lidhjeve të korruptuara midis tyre dhe qeverisë.

Tanimë, e gjendur mes kritikave nga grupet qytetare dhe politikanët përparimtarë, zyra e Moon është distancuar nga lirimi i Lee, duke thënë se lirimet me kusht i takojnë Ministrisë së Drejtësisë.

Megjithatë, drejtuesit e biznesit dhe anëtarët kryesorë të qeverisë së tij kishin miratuar lirimin e hershëm të Lee, duke përmendur praninë vendimtare të Samsung-ut në ekonominë kombëtare.

Ata kanë pohuar gjithashtu se mungesa e Lee nga salla e bordeve mund të pengojë shpejtësinë dhe epërsinë e Samsung-ut në investime dhe mund të dobësojë konkurrencën e tij në tregun global të gjysmëpërçuesve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore