Sam Bankman-Fried u kërkon falje ish-punonjësve të FTX për kolapsin

Sadiola Xhelili
24.11.2022 21:10
Loading Icons...

Ish-punonjësve të FTX, Sam Bankman-Fried u ka thënë se huamarrja e tepërt nga firma e tij tregtare Alameda Research ishte përgjegjëse për kolapsin.

Ai ka këmbëngulur se nuk ishte në dijeni të pozicioneve të marzhit të marrë nga tregtarët dhe ka kërkuar falje për këtë.

Themeluesi i FTX u ka shkruar ish-punonjësve se nuk e kishte kuptuar “shtrirjen e plotë të pozicionit të marzhit, as madhësinë e rrezikut të paraqitur nga një përplasje hiper-korrelative”.

FTX i lejonte klientët të merrnin hua për të rritur bastet e tyre në kriptomonedha. Por kjo praktikë e lejoi firmën të merrte pozicione shumë të mëdha, të cilat Bankman-Fried ka pretenduar se nuk i monitoroi.

Alameda hyri në përplasjen e kriptove këtë pranverë duke marrë hua dy miliardë dollarë nga FTX, e cila u mbështet nga ajo që pretendonte se ishte 60 miliardë dollarë kolateral.

Por në kohën kur perandoria e kriptomonedhës së Bankman-Fried po shembej, huamarrja ishte rritur në tetë miliardë dollarë dhe ishte mbështetur nga asete me vlerë vetëm nëntë miliardë dollarë.

Më herët, avokatët e menaxherëve të rinj të FTX kritikuan menaxhmentin e Bankman-Fried të konglomeratit të kriptove.

Sipas tyre, grupi shpenzoi “sasi të konsiderueshme parash” për artikuj që nuk kanë lidhje me biznesin, të tilla si shtëpitë e pushimit në Bahamas.

Shkalla e problemit u përforcua sepse Alameda mbante tetë miliardë dollarë në fondet e klientëve që i përkisnin FTX.

Bankman-Fried ka pretenduar se Alameda i mbante ato fonde të klientëve të FTX sepse kishte marrë para prej tyre përpara se shkëmbimi të kishte llogarinë e vet bankare.

Disa klientë të FTX i kanë treguar se i kanë dërguar para Alameda-s, të cilat më vonë do të përdoreshin në bursë.

Asetet e Alameda përfshinin investime të mëdha në kapital sipërmarrës dhe kripto që nuk mund të shndërroheshin shpejt në para.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Të fundit

Aktuale