Lajme

Salman Rushdie, pas operacionit kirurgjik, merr frymë me ventilator dhe nuk është në gjendje të flasë


Shkrimtari Salman Rushdie, i cili u plagos rëndë një natë më parë në New York, merr frymë me ventilator dhe nuk është në gjendje të flasë. Autori rrezikon të humbasë njërin sy dhe përdorimin e një krahu. Kjo sipas deklaratës së agjentit të tij Andrew Wylie.

“Salman ka të ngjarë të humbasë njërin sy, nervat në krahun e tij janë prerë, dhe mëlçia e tij është goditur me thikë dhe dëmtuar”, tha Wylie.

Policia arrestoi një të dyshuar të quajtur Hadi Matar, 24 vjeç, nga Fairview, New Jersey.

Hadi Matar
Hadi Matar në momentin e arrestimit

Asnjë motiv apo akuzë nuk është konfirmuar ende nga policia, e cila është në proces të marrjes së urdhrave të kontrollit për të ekzaminuar një çantë shpine dhe pajisje elektronike të gjetura në qendër.

Salman Rushdie u godit me thikë të paktën një herë në qafë dhe në bark, thanë autoritetet. Ai u dërgua në spital në Erie, Pensilvani, me helikopter.

Rushdie është autor me origjinë indiane, fitues i çmimit Booker britanik. Ai ka shkruar 14 romane, por është më i njohur për romanin e tij të katërt, “Vargjet Satanike”.

Libri i Rushdie “Vargjet Satanike” është ndaluar në Iran që nga viti 1988, pasi shumë myslimanë e konsiderojnë atë si blasfemi.

Një vit më vonë, lideri suprem i Iranit, Gran Ajatollah Ruhollah Khomeini, lëshoi ​​një fetva ose dekret, duke bërë thirrje për vdekjen e Rushdie.

Kopertina e revistes “Time” pas publikimit të fetvasë

Rushdie, pas publikimit të fetvasë, tha se qëllimi kryesor i romanit të tij ishte të shqyrtonte përvojën e emigrantëve. Por shumë prej myslimanëve u ndjenë të ofenduar nga portretizimi i Profetit Muhamed dhe vënia në pikëpyetje e natyrës së shpalljes së Kuranit si fjalë e Zotit.

Vargjet Satanike u ndaluan fillimisht në vendin e lindjes së autorit, Indi, dhe më pas në disa vende të tjera si në Arabinë Saudite, Afrikën e Jugut etj.. Djegia e librave tërhoqi turma në mijëra njerëz dhe trazirat çuan në dhjetëra vdekje në mbarë botën.

Protesta
Protesta kundër Salman Rushdie

Kjo përpara se Ajatollah Khomeini i Iranit të lëshonte fetvanën e tij. Khomeini e dha dënimin më 14 shkurt 1989.

Fetvaja bënte thirrje për vrasjen e kujtdo që ishte përfshirë në botimin e librit dhe ofronte shpërblime për ata që morën pjesë në vrasje. Kjo fetva nuk është anuluar kurrë zyrtarisht.

I befasuar nga natyra e përhapur e protestave, Salman Rushdie u kërkoi falje myslimanëve, por u fsheh.

Rasti më pas çoi në prishjen e marrëdhënieve diplomatike midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Iranit.

Salman Rushdie për shumë vite ka pasur truprojë, pasi jeta e tij kërcënohej me vdekje.

Në vitin 1991, një përkthyes japonez i librit u vra me thikë. Disa muaj më vonë, një përkthyes italian u godit gjithashtu me thikë dhe botuesi norvegjez i librit, William Nygaard, u qëllua – por të dy mbijetuan.

Në gusht të 1989, një bombë që shpërtheu në një hotel në Londër pranë stacionit Paddington vrau bombarduesin, Mustafa Mahmoud Mazeh.

Më pas në vitin 2005 një reporter nga “Times” zbuloi një gur varri në një varrezë në Teheran që e përkujtonte atë si “dëshmori i parë që vdiq në një mision për të vrarë Salman Rushdie”.

Fetvaja u përsërit nga Ayatollah Ali Khamenei në 2005 (dhe pastaj përsëri në 2017 dhe 2019 përmes llogarisë së tij në Twitter).

Rushdie thotë se çdo vit në ditën e shpalljes së dënimit, më 14 shkurt, ai merr një kartolinë speciale të Shën Valentinit nga Irani, ku i kujtohet se dënimi nuk është zhdukur ende.

Një shpërblim prej mbi 3 milionë dollarësh është ofruar po ashtu për këdo që vret Rushdie.

Salman Rushdie

Kur Rushdie u shpall kalorës i Mbretërisë  në vitin 2007 nga Mbretëresha e Anglisë, kjo shkaktoi protesta në Iran dhe Pakistan, ku një ministër i kabinetit në këtë të fundit tha se nderimi i dhënë “justifikon sulmet vetëvrasëse”.

Disa prej eventeve letrare ku merrte pjesë Rushdie ndër vite kanë qenë subjekt i kërcënimeve dhe bojkoteve.

Kishte kohë që Rushdie kishte kërkuar të mos kishte më truproje. Me sa duket ndihej i qetë në SHBA, ku jetonte prej vitit 2000.

Romani i tij i radhës, Qyteti i Fitores, pritet të botohet në shkurt 2023.

Reagime

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson shkroi në Twitter: “Të tmerruar që Sir Salman Rushdie është goditur me thikë duke ushtruar një të drejtë që nuk duhet të ndalojmë kurrë së mbrojturi”.

Presidenti francez Emmanuel Macron shkroi se Salman Rushdie “mishëron lirinë dhe luftën kundër obskurantizmit” dhe ishte viktimë “e një sulmi frikacak nga forcat e urrejtjes dhe barbarizmit”.

Shkrimtari dhe krijuesi i romanit grafik Neil Gaiman tha se ishte “i tronditur dhe i shqetësuar” nga sulmi ndaj mikut dhe kolegut të tij shkrimtar.

“Ai është një njeri i mirë dhe i shkëlqyer dhe shpresoj që të bëhet mirë”, shkroi Gaiman në Twitter.

Në një deklaratë, botuesit e zotit Rushdie në Penguin Random House thanë: “Ne e dënojmë këtë sulm të dhunshëm publik dhe mendimet tona janë me Salmanin dhe familjen e tij në këtë kohë shqetësuese”.

Një tjetër autore, Taslima Nasreen, e cila u detyrua të largohej nga vendi i saj në Bangladesh pasi një gjykatë tha se romani i saj “Lajja” ofendonte besimin fetar të myslimanit, tha se tani, pas sulmit të zotit Rushdie, ajo kishte frikë për sigurinë e saj.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore