Lajme

“Salih Mustafa s’ka vrarë e as urdhëruar vrasjen e askujt”


Salih Mustafa dhe Julius von Bonne

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, në të cilën po mbahet seanca e radhës ku po dëgjohen deklaratat përmbyllëse të mbrojtjes së viktimave dhe mbrojtjes së Salih Mustafës, avokati i këtij të fundit ka deklaruar se klienti i tij, asnjëherë nuk ka vrarë apo ka urdhëruar vrasjen e ndonjë personi apo edhe torturuar, keqtrajtuar apo ndaluar ndonjë person, ashtu siç po pretendon Zyra e Prokurorisë së Specializuar.

Avokati, Julius von Bonne, në fjalën e tij përmbyllëse, ka deklaruar se të gjitha aktakuzat ndaj Salih Mustafës janë të lidhur me një njësi të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i njohur si BIA, i cili operonte në kompleksin në Zllash. Megjithatë, sipas tij nuk ka asnjë dokumentacion, sa u takon njerëzve që ishin pjesë e BIA-së, nuk kishte as regjistrim, as trajnim, as grada e uniforma dhe se njerëzit ishin të angazhuar për të çliruar vendin e tyre nga një nga regjimet më shtypëse.

Sipas Bonne, BIA nuk kishte asnjë lloj operacioni të kryer në Zllash.

“I tërë nocioni i këtij kompleksi që përdorej si bazë për BIA është i gabuar. Njerëzit e BIA-së nuk kishin pushtet atje. I gjithë kompleksi është përdor si vend i sigurt për refugjatët, për personat e zhvendosur brenda vendit që qëndronin atje në një vend të sigurt”, ka treguar Bonne para trupit gjykues në Gjykatën Speciale.

Ai tha se asnjë prej njerëzve që ka qëndruar në Zllash nuk ka thënë që BIA operonte apo drejtonte këtë kompleks ose nuk ka thënë që ishte BIA që kishte monopol të plotë në këtë kompleks.

Sipas avokatit, është i rremë pretendimi që kompleksi në Zllash ka qenë vendi ku njerëzit e caktuar janë marrë në pyetje dhe janë keqtrajtuar më pastaj.

“Personat e BIA-së nuk ishin pjesë e asnjë komande të asnjë brigade, ishte njësi tërësisht e veçantë dhe me siguri ata kanë ndihmuar përpjekjet e luftës në tërësi”, ka shtuar ai.

Avokati i Mustafës, ka bërë të qartë se asnjë person i vetëm i BIA-së, as vetëm, as në mënyrë të përbashkët me ushtarë të tjerë të UÇK-së, policë ushtarak nuk kanë pasur qëllim të ndalojnë, keqtrajtojnë mizorisht, torturojnë apo vrasin dikë.

“Ata nuk kanë kryer asnjë prej krimeve të pretenduara. Zoti Mustafa i rrëzon me vendosmëri akuzat. Nuk kishte asnjë njohuri për krimet në aktakuzë”, ka thënë avokati.

Anni Pues

Në anën tjetër përgjatë deklaratës së saj përfundimtare, mbrojtësja e viktimave, Anni Pues, ka thënë se arrestimi i viktimave ka qenë i padrejtë.

Sipas saj ndalimi arbritrat, për të cilën po akuzohet Mustafa, është dhunim i të drejtave të njeriut.

Dëshmitë, sipas Pues tregojnë qartë përfshirjen e drejtpërdrejt të Salih Mustafës, në krime kundër njerëzimit.

Mbrojtësja e viktimave, Anni Pues, deklaroi se njësiti BIA kanë ndaluar ata persona që për ta ishin të padëshiruar, i kanë përshkruar si spiunë apo hajdut për shkak se nuk i pëlqenin pikëpamjet e tyre politike dhe kjo formë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale është pjesë e së drejtës zakonore.

Ndryshe, një ditë më parë Zyra e Prokurorit të Specializuar në kuadër të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, ka kërkuar që Salih Mustafa të dënohet me 35 vite heqje lirie.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore