Shqipëria

Sali Berisha shpall kandidaturën për kryetar të Partisë Demokratike


Nga foltorja e radhës në Kavajë, ish-lideri demokrat Sali Berisha ka shpallur kandidaturën e tij për postin e kryetarit të Partisë Demokratike.

“Natyrisht që do hapim një garë, në të cilën garantoj se çdo njeri që do hyjë në atë garë, do ketë një garë të lirë. Natyrisht, njëri prej tyre do të jetë dhe Sali Berisha”, vetëdeklaroi Berisha.

Më pas, ai u bëri thirrje demokratëve që të mbledhin firmat për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar të PD-së.

“Ftoj çdo delegat të Kavajës, çdo delegat të Kuvendit Kombëtar të firmosë për mbledhjen e Kuvendit, të firmosë për ndryshimet statutore, për ta shndërruar statutin në librin e rregullave të lirisë dhe dinjitetit tonë, të firmosë që të instalojmë primaret, të firmosë që të rikthejmë referendumin si formë direkte të qeverisjes suaj, të vendimmarrjes suaj”, theksoi ish-kryetari i PD-së dhe ish-kryeministri i Shqipërisë në fjalën e tij.

Deklarata e Bashës

Kryetari i Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha, në një konferencë me drejtues të PD-së, Grida Duma dhe Gazment Bardhi, të shtunën e 23 tetorit, ravijëzonte se ish-kryetari Sali Berisha nuk mund të dalë mbi statutin.

“Sali Berisha nuk ka ndonjë fuqi për të thirrur asnjë institucion të partisë. Partia ka institucionet e saj. Berisha mund të thërrasë institucione paralele, në përpjekje për ta bërë partinë e tij bunker”.

Ai theksoi se e ka thirrur Kuvendin dhe do ta thërrasë, por vetëm për çështje statutore.

“Cilido qoftë t’i drejtohet institucioni të partisë dhe jo bunkerit. Deri para tre muajsh nuk kishte asnjë problem me mua. Çfarë ka ndryshuar përveç interesit vetjak për ta çuar PD në greminë? Vendimi im, vendim i një lidershipi të përgjegjshëm. Vendim që duhej të merrej”.

Lidhur me deklaratën e Berishës, se mund të kandidojë për kryetar të PD-së, Basha theksoi se zgjedhja e tij në krye të partisë, është bërë sipas statutit dhe “nuk ka ndër mend të harxhoj kohë me reflektime, tollovi, përpjekje për të përçarë PD”.

Blinken-Berisha

Çështja “Berisha”, sipas ish-kryeministrit, është pranuar nga gjykatësi i Parisit dhe gjithçka pret, janë provat e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, për t’u paraqitur.

Ish-kreu demokrat u shpall persona non grata nga Departamenti amerikan i Shtetit më 19 maj 2021.

Gjithsesi, kjo mbetet deklaratë e Berishës dhe nuk ka një konfirmim zyrtar nga instanca të tjera.

Menjëherë pas shpalljes publike, ai mori vendimin për të ankimuar këtë përcaktim të autoriteteve amerikane ndaj tij dhe familjes së afërt.

Berisha ka pretenduar gjithnjë se një Gjykatë në Paris ka të drejtë t’i trajtojë këto çështje. Kjo, edhe pse Sekretari i Shtetit gëzon imunitet të plotë ndaj padive.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore